Policia, Elbasan

Policia e Shqipërisë shpall në kërkim dy gjeorgjianë, dyshohet se këmbyen 40 milionë lekë të falsifikuara në një këmbimore

Policia e Shtetit në Elbasan ka shpallur në kërkim dy persona, shtetas gjeorgjianë, pasi të njëjtit dyshohet se në një këmbimore kanë këmbyer para të falsifikuara.

L.G., 49 vjeç dhe L.P., 46 vjeç dyshohet se kanë këmbyer 40 milionë lekë në 40 mijë euro me kartëmonedha të falsifikuara.

Policia ka arritur t’i identifikojë dhe i ka shpallur në kërkim të dyshuarit.

“Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Elbasan, pas kallëzimit nga pronari i një exchange, se 2 shtetas e kishin mashtruar në exchange, duke këmbyer një shumë parash nga lekë në euro, me kartëmonedha të falsifikuara, kanë bërë të mundur identifikimin e 2 autorëve të rastit. Në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim shtetasit gjeorgjianë L. G., 49 vjeç dhe L. P., 46 vjeç, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i monedhave”- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Uniformat blu bënë të ditur se është duke vijuar puna për kapjen e dy shtetasve gjeorgjianë.