Policia e Kosovës pranoi pesë qen për Njësinë ‘K9’ nga UNDP

Sot, në një ceremoni të organizuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimi ka dhuruar Policisë pesë qen për njësinë “K9”.

Policia ka njoftuar se pranim – dorëzimi i këtij donacioni u nënshkrua nga Drejtori i  përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë Maria Suokko.

Ky donacion sipas Mehmetit dëshmon bashkëpunimin e fuqishëm të Policisë së Kosovës me UNDP- në.

“Misioni dhe angazhimi ditor i Policisë së Kosovës është që në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët të avancojmë nivelin e sigurisë në Kosovë dhe njëkohësisht të përmirësojmë cilësinë e jetës për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Mehmeti.

Donacioni i dhuruar sot, ka për qëllim mbështetjen e Policisë së Kosovës në ngritjen edhe më tej të produktivitetit policorë në parandalimin e kontrabandimit, zbulimit dhe konfiskimit të armëve ilegale, municionit dhe eksplozivëve.

Ndërsa, përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko theksoi se në rrethana të jashtëzakonshme të shkaktuara nga pandemia, janë të sfiduar të vazhdojnë të sigurojnë shërbime për të gjithë njerëzit, në mënyrën më efikase të mundshme.

“Në një mjedis global kompleks, përplot pasiguri, institucionet e sigurisë duhet të jenë një hap përpara. Dhe kjo është ajo që po bën Policia e Kosovës – duke zgjeruar kapacitetet e saj në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të armëve dhe avancimin e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta, municioneve dhe eksplozivëve.  Sot, ne po dhurojmë pesë qen ‘K9’ për njësinë ‘K9’ të Policisë së Kosovës. Qentë do të trajnohen në mënyrë specifike në nuhatjen dhe zbulimin e narkotikëve dhe eksplozivëve të ndryshëm që përndryshe do të mund të kontrabandoheshin përmes pikave të kalimit kufitar ose vijave të gjelbra të kufirit”, u shpreh Suokko.