Foto: KALLXO.com

Brenda ekipit të qenve policorë që zbulojnë drogën e eksplozivin (VIDEO)

Në momentin e parë kur dikush i panjohur për ta afrohet përreth bazës kryesore, ata fillojnë alarmimin.

18 qentë policorë janë të vendosur përgjatë magjistrales Prishtinë – Podujevë, saktësisht në bazën kryesore në fshatin Lebanë.

Të trajnuar e të certifikuar për të kryer punë operacionale, qentë policorë të njohur si Njësia K-9 arrijnë të identifikojnë veprimtari të shumta.

Ekipi i KALLXO.com ka qëndruar një ditë në bazën kryesore të Njësisë K-9.

Aty kemi ka parë nga afër disa prej trajnimeve të qenve në kampin e Njësive Speciale në Vrellë. Kjo njësi hyn në kuadër të Drejtorisë së Njësive Speciale dhe elite të Policisë.

Të trajnuar për të luftuar ilegalitetin, Njësiti K-9 pati punë javëve të fundit. Njësia e qenve ishte ftuar në çdo rast kur pati kërcënime për bombë.

Kjo ndodhi në Aeroport, në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, në oborrin e Rektoratit të UP-së dhe në një shkollë.

Mehdi Gashi, instruktor i Njësisë K-9, punon tash e 18 vjet në këtë njësi.

Qenin të cilin e posedon e ka të trajnuar për të identifikuar dhe për të lokalizuar persona të dyshuar të cilët kanë rrezik të arratisjes.

Ai rrëfen për ekipin e KALLXO.com specifikat e qenve policor dhe punën që ata kryejnë.

“Kemi qen të kategorive të ndryshme, kemi qen patrullues që bëjnë kontrollin e personave të dyshuar, të humbur, kemi ekipet e tjera si për shembull ekipin me qen për kërkimin e narkotikëve, për eksploziv për armë dhe ekipin e qenve për gjetjen e kartëmonedhave”, tregon Gashi, deri sa jep detaje për mënyrën e punës së tyre dhe ushqimit.

Qentë policor, ushqehen me ushqime të veçanta dhe varësisht moshës së tyre. Furnizimi me ushqim bëhet përmes procedurave të tenderimit të cilat hapen nga zyra e prokurimit në Policinë e Kosovës.

“Ushqimi i qenve është sipas moshës së qenit dhe sipas specifikave të detyrave operacionale. Dallon edhe nga madhësia, është e caktuar sasia se sa duhet të ushqehet një qen”, shpjegon tutje instruktori.

Instruktori Gashi thotë se për një qen policor nuk ka kosto të lartë.

Qentë policor të cilët luftojnë krimin janë të racave të ndryshme.

“Kemi lloje të ndryshme, kemi pastorin belg, e kemi pastorin gjerman, kemi dy qen të vegjël që janë për lëndë narkotike dhe kartëmonedha, janë dy qen me trup të vegjël që na shpërbejnë dhe kryejnë punë jashtëzakonisht shumë të mira sepse për shkak të terrenit vendeve të vogla arrijnë të futen pa problem”, shton tutje Gashi.

Zgjedhja e qenve për t`u bërë pjesë e Njësitit K-9 ka edhe disa procedura.

“Përzgjedhja e qenve ka procedura, është testi kriter, çdo qen që pranohet në polici duhet të kaloj fazën testuese, janë 18 pika të karakterit të një qeni. Në ato pika kërkohet nga qeni të jetë kurioz, të jetë i shoqërueshëm të mos ketë frikë nga ambientet e ndryshme, krismat e ndryshme, të mos ketë frikë nga vendet e frekuentuese nga qytetarët”, rrëfen instruktori Gashi.

Qentë e Njësitit K-9 funksionojnë në bazë të komandës që marrin nga një zyrtar policor. Instruktori Gashi tregon se varet nga zyrtari policor se si i mëson komandën qenit të cilin e mbikëqyrë.

Një nga kriteret për të pranuar një qen në Njësitin K-9 është që qeni të jetë në moshë shumë të re, në mënyrë që i njëjti të mësojë më shpejtë komandat policore.

“Qentë kur të përzgjidhen kriter është mosha 12-18 muaj, atë kohë qentë janë të pa trajnuar, varet nga instruktorët dhe operatorët se si vendosin që t`u japin komandat. Personalisht, qeni im i ka të gjitha komandat shqip, ka kolegë që jep komandat në gjuhën gjermane apo angleze”, shpjegon Gashi.

Qentë në bazën kryesore në Lebanë janë të ndryshëm, disa janë nga Kosova, disa janë nga shtetet e jashtme, disa janë donacione.

Instruktori Gashi shpjegon në detaje se si bëhet trajnimi dhe certifikimi i qenve të Njësitit K-9 duke shtuar se çdo vit dhe në kohë të ndryshme ka trajnime shtesë.

“Çdo ekip e ka fazën e vet të trajnimit. Te qentë kërkues për narkotik, eksploziv, armë e kartëmonedha është trajnimi 3 muaj, të patrulluesit trajnimi zgjat 5 muaj. Gjatë përfundimit të 3 mujorit është testi i mesëm dhe testi final, nëse arrin që testin e fundit ta kaloj atëherë certifikohet si qen operacional policor”, tregon instruktori Gashi, deri sa përmend edhe faktin se çdo qen i certifikuar hyn edhe në fazën e ri- certifikimit njëjtë si zyrtarët policor.

Nga baza në Lebanë, ekipi i KALLXO.com së bashku me zyrtarët policor të Njësitit K-9 udhëtoi drejtë kampit të Njësive Speciale në Vrellë.

Aty zyrtarët policorë do të ilustrojnë disa prej trajnimeve dhe punës së qenve policor në operacione të ndryshme.

Pak kilometra më larg, njëri nga qentë policor do të improvizonte kapjen e një personi të dyshuar e gjithashtu një personi i cili supozohej se ishte i zhdukur.

Gjatë një dite ekipi i KALLXO.com, përcolli në vendin e ngjarjes disa prej karakteristikave për të cilat njihet ekipi elitë i policisë, Njësiti K-9.

Mbikëqyrësi i Grupit K-9 për gjetjen e mjeteve eksplozive, Uran Dërmaku tregon për kërcënimet e fundit të cilat janë pranuar në Policinë e Kosovës për bomba në disa vende të ndryshme.

“Kohëve të fundit janë paraqitur disa raste të kërcënimit, ne zakonisht këto raste të kërcënimit i konsiderojmë si raste me prioritet ku shkojmë i asistojmë njësive që janë në vendin e ngjarjes. Ne shkojmë në ato lokacione, i marrim të gjitha masat e sigurisë, kërkojmë mjetet e dyshuara eksplozive duke filluar nga hapësirat përreth, pastaj futemi brenda objektit ku gjurmojmë të gjitha pjesët ku dyshojmë se mund të ketë mjete dyshuese. Falë angazhimit të K-9 deri më tani nuk kemi hasur në ndonjë mjet shpërthyes, gjithçka ka qenë si alarm i rrejshëm dhe kemi përfunduar me sukses këto kontrollime”, tregon Dërmaku, i cili në Njësinë K-9 është tash e 12 vite.

Rreshteri Dërmaku rrëfen një rast të veçantë suksesi të njësitit të cilit i takon.