Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Policia e Kosovës kap 20 emigrantë sirianë, arreston 5 taksistë

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në një operacion të saj ka ndaluar 20 emigrantë sirianë dhe ka arrestuar 5 taksistë kosovarë, të cilët synonin t’i kontrabandonin këta të huaj.

Sipas njoftimit të Policisë, stacioni policor nga Policia kufitare rajoni “Perëendimi” kanë identifikuar një automjet të dyshuar, me shenjën “taxi”, i cili ishte i ndaluar në dalje të autostradës, afër fshatit Vërmicë.

“Ngasësi i automjetit, në momentin që kanë ardhur edhe disa automjete të tjera, është çkyqur nga autostrada dhe së bashku me automjetet e tjera, janë ndaluar te një restaurant në Vërmicë. Njësitë policore menjëherë kanë ndërmarr veprime të nevojshme për identifikimin edhe të ngasësve të tjerë të automjeteve dhe është konstatuar se të gjithë ishin “taksist”; Katër (4) nga të cilët ishin nga Regjioni i Mitrovicës, ndërsa njëri (1)nga Regjioni i Pejës”, ka njoftuar Policia.

Gjatë veprimeve hetimore është kuptuar se ata kishin ardhur për të bërë bartjen e disa pasagjerëve dhe se njëri nga taksistët ka qenë në komunikim përmes telefonit me një person që dyshohet se është nga Shqipëria dhe një person tjetër, me të cilin kanë komunikuar në gjuhën serbe.

“Pas marrjes se informacioneve lidhur me vendndodhjen e pasagjerëve (emigrantëve), njësitet policore, kanë shkuar së bashku me taksistët dhe rreth njëzet (20) migrantë nga Siria menjëherë kanë vrapuar që të futen në automjete”, thekson Policia.

Policia ka ndërmarrë veprime të menjëhershme në lokacion dhe pas konsultimit edhe me prokurorin kompetent të krimeve të rënda, taksistët janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore, ndërsa automjetet e tyre janë sekuestruar. Përderisa, me 20 emigrantët është marrë Njësia për migrim dhe të huaj në kuadër të PK-së dhe hetuesit rajonalë për trajtimin e tyre sipas ligjeve të aplikueshme në vend.