Foto: KALLXO.com

Nis rigjykimi për kontrabandim me emigrantë

Në mungesë të të dëmtuarve Diedon Hajrizi, Armend Kuqi, Enis Pllana dhe Shemsedin Pllana, për të cilët Gjykata nuk ka prova se janë ftuar në mënyrë të rregullt, ka nisur rigjykimi i Sadik Sadikut dhe Zijadin Sopës për kontrabandim me emigrantë.

Qysh në fillim të seancës i akuzuari Sadik Sadiku ka pranuar përsëri fajësinë, ndërkaq Zijadin Sopa u deklarua se ndihet plotësisht i pafajshëm.

Prokuroria u pajtua me pranimin e fajësisë nga i akuzuari Sadik Sadiku dhe propozoi veçimin e procedurës, propozim që u aprovua nga trupi gjykues.

Avokati Naim Rudari në fjalën e tij hyrëse tha se qëndron pranë kundërshtimeve të paraqitura, se mbështet deklarimin e të akuzuarit Zijadin Sopa lidhur me aktakuzën dhe pasi që kjo çështje tani fillon nga e para ai e njoftoi trupin gjykues që ka paraqitur edhe kundërshtim për hedhje të provave dhe  se tani qëndron pranë atij kundërshtimi edhe më tutje duke konsideruar se aktakuza e Prokurorisë nuk përmban prova se klienti i tij ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

Gjykata sipas kërkesës së Prokurorisë vendosi që në seancën e radhës të thirren të dëmtuarit- dëshmitarë: Diedon Hajrizi, Armend Kuqi, Enis Pllana dhe Shemsedin Pllana.

“Lidhur me këtë çështje veprimet apo eventualisht mosveprimet e z. Sopës nuk kanë elemente të kësaj vepre penale. Ai e ka thirrë një taksist të nacionalitetit serb për të ardhur në Merdarë, për t’i marrë tre udhëtarë sipas kërkesës së të bashkakuzuarit të tij dhe vetë personave që kanë dashur të udhëtojnë. Personat që kanë dashur të udhëtojnë nga Republika e Kosovës në Serbi, Zijadini i ka parë dhe e ka ditur që ata do të kalojnë vëtë në pikalimin e rregullt kufitar, kështu që nuk ka marrë obligim as premtim që t’i ndihmojë ata në kalimin e kufirit. Pra, i gjithë veprimi i tij ishte thirrja e nje takstisti, ndërsa dispozita ligjore e cila e rregullon veprën penale kontrabandimi me emigrant e ka sqaruar me detaje se çka nënkupton kjo, pra hyrjen e paligjshme të ndonjë personi që nuk është shtetas i Republikës së Kosovës në  shtetin tonë dhe anasjelltas kalimi nga Republika e Kosovës i nje qytetari tonë apo shtetasi të huaj në një shtet në të cilin nuk është banor i përhershëm apo nuk e ka të lejuar hyrjen. Pra në këto rrethana tre personat e kanë pasur të lejuar kalimin kufitar në mënyrë të rregullt, kanë pasur dokumentacion të rregullt dhe se kalimi i tyre nga Kosova në Serbi nuk ka qenë kalim i kundërligjshëm, aq më pak që ketë tejkalim  nuk e ka pasur për barrë, as obligim, e as premtim i akuzuari Zijadin Sopa. Andaj edhe ne mbështesim propozimin e Prokurorisë që të njëjtit të ftohen në cilësi të dëshmitarëve”, tha mbrojtësi i të akuzuarit.

Sipas aktakuzës me datë 30.1.2015 pas marrëveshjes paraprake njëri me tjetrin, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme i pandehuri Sadik Sadiku dhe Zijadin Sopa duke shfrytëzuar gjendjen ekonomike të të dëmtuarve Diedon Hajrizi, Armend Kuqi dhe Enis Pllana, paraprakisht i pandehuri Sadiku nga të dëmtuarit ka marrë 200 euro me qëllim të dërgimit nga Mitrovica për në drejtim të vijës kufitare në Merdarë, ku destinacioni i të dëmtuarve ishte Gjermania dhe me të arritur në kufi ka kontaktuar me të pandehurin Zijadin Sopa ku të njëjtit i ofron shumën prej 350 euro me qëllim të kalimit të vijës kufitare në Merdarë, për t’i dërguar pastaj të dëmtuarit në Suboticë. Veprime këto për të cilat edhe ngarkohen nga Prokuroria  për vepër penale – kontrabandim me emigrantë në bashkëkryerje.

Seanca e radhës u caktua për më 11 mars.