Foto: Ilustrim

Mitrovicë, arrestohet shoferi i autobusit që po transportonte shtetas nga Siria, Irani e Iraku

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në mëngjes në fshatin Shupkovc të Mitrovicës është ndaluar një autobus me drejtues E. H., në të cilin gjendeshin 61 shtetas me origjinë nga Siria, Irani dhe Iraku.

Sipas Policisë, i dyshuari ka deklaruar se këta shtetas të huaj i ka marrë në Prizren dhe ka pasur për qëllim t’i dërgojë deri në stacion të autobusëve në Mitrovicë.

Me urdhër të prokurorit, E.H. është arrestuar dhe ndaj të njëjtit është iniciuar rasti ‘kontrabanda me emigrantë’.

Ndërsa shtetasit e huaj janë trajtuar nga Njësia për Migrim.

Pas intervistimit të të dyshuarit në praninë e avokatit të tij mbrojtës, i njëjti me urdhër të prokurorit është ndaluar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë.