Foto: Kallxo.com

Gjakovë: Paradite pranon fajin, pasdite dënohet për kontrabandë me emigrantë

Sali Krasniqi është dënuar me 2 vjet burg me kusht nga Gjykata në Gjakovë për akuzën për kontrabandë me emigrantë.

Por ai nuk do ta vuajë dënimin nëse brenda 3 viteve nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale ndërsa bashkë me dënimin ai mori edhe një gjobë prej 500 euro.

Ai akuzohej se e ka kontrabanduar drejt Italisë të dëmtuarin Agron Hoti.

Bashkë me aktgjykimin, gjykata ka vendosur që Krasniqit t’ia ndërprejë paraburgimin ndërsa të dëmtuarin Agron Hoti e udhëzoi në kontest civil për kompensim dëmi.

Sali Krasniqi akuzohej bashkë me Bashkim Isufin për veprën e kontrabandimit, por gjykata njofto se i akuzuari tjetër gjendet në vuajtje të dënimit në Gjermani.

Gjatë gjykimit të sotëm, trupit gjykues i përbërë nga kryetari Shaqir Zika dhe anëtarët Gëzim Pozhegu dhe Myfera Hoxha, pas propozimit të prokurorit Ali Uka, veçuan procedurën penale ndaj Bashkim Isufit.

Sipas aktakuzës, në shkurt të vitit 2008 në Gjakovë, të akuzuarit Bashkim Isufi dhe Sali Krasniqi kishin marrë pjesë në kontrabandimin e emigrantëve

Aktakuza thotë se të akuzuarit janë takuar në një lokal në në Gjakovë me të dëmtuarin Agron Hoti dhe vëllain e tij Arben Hoti, të cilët janë dakorduar që Agron Hotin ta dërgojnë në Itali, në këmbim të shumës prej 2800 euro.

Aktakuza shpjegon se i dëmtuari Agron Hoti përmes mikut të tij Rrahman Gashi ia ka paguar shumën prej 400 euro si dhe një telefon mobil në vlerë prej 400 eurove.

Në këtë rast i dëmtuari rrugës për në Itali ishte ndaluar dhe ishte kapur nga ana e policisë boshnjake, në qytetin Velika Klladusha të Bosnjës.

Krasniqi, në seancën e mbajtur sot paradite, e kishte pranuar fajësonë në akuzën për të cilën ngarkohej.

https://kallxo.com/gjakove-i-akuzuari-e-pranon-se-ka-bere-pazar-per-kontrabandim-te-nje-personi/