Kontrabandimi me emigrantë - Foto: KALLXO.com
Gjykimi për kontrabandim me emigrantë, të akuzuarit e pranojnë fajësinë
Tetë të akuzuarit për kontrabandim me migrantë: Shani Sahitaj, Bejtullah Bytyqi, Sefedin Bezeraj, Lulëzim Bajrami, Bashkim Vladi, Premton Harxhi, Musaj Krasniqi dhe Emrush Gashi, e kanë pranuar fajësinë në Gjykatë.
Të akuzuarit janë deklaruar fajtorë pasi prokurori special Haki Gecaj e rikualifikoi aktakuzën ndaj tyre, duke hequr dorë nga ndjekja për krim të organizuar dhe ricilësuar veprën penale në kontrabandim me emigrantë në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës, Shani Sahitaj, Bejtullah Bytyqi, Sefedin Bezeraj, Lulëzim Bajrami, Bashkim Vladi, Premton Harxhi, Musaj Krasniqi dhe Emrush Gashi nga viti 2012 e deri në ditën e arrestimit, me qëllim që vetes t’i sigurojnë dobi pasurore të kundërligjshme, në bashkëpunim me shtetasit e Serbisë dhe Malit të Zi, kanë kontrabanduar emigrantë, shtetas të Kosovës, përmes kompanive të ndryshme turistike.
Dosja e Prokurorisë përshkruan se të akuzuarit duke i shfrytëzuar rrugët përmes Malit të Zi drejt qytetit të Barit kalonin në Itali, poashtu edhe përmes Serbisë në drejtim të Hungarisë, me destinacionin e fundit vendet e BE-së.
Prokuroria i akuzo tetë të pandehurit se me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale kontrabandim me emigrant. Ndërkaq Bejtullah Bytyqi dhe Sefedin Veselaj akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.
Në fillim të shqyrtimit gjyqësor prokurori Haki Gecaj njoftoi Gjykatën lidhur me ricilësimin e veprës penale, nga akuza për krim të organizuar, me të cilën ngarkoheshin të akuzuarit, e rikualifikoi veprën penale në kontrabandim me emigrantë në bashkëkryerje.
Pas ricilësimit të veprës, gjatë negociatave me të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, dy prej tyre kishin lidhur marrëveshjen për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale. Fjala është për të pandehurit Shani Sahitaj dhe Musaj Krasniqi.
Këtë marrëveshje e aprovoi dhe trupi gjykues.
Lidhur me këtë çështje, prokurori Gecaj tha se me kërkesë të mbrojtësve ka marrë autorizimin nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të PSRK-së për të hyrë në negocim për pranim fajësie me të akuzuarit në këtë çështje.
“Me dy të akuzuarit në prezencë të mbrojtësve të tyre është mbajtur seancë dëgjimore ku është negociuar mbi pranimin e fajësisë, duke u respektuar Kodi i Procedurës Penale jemi pajtuar për kushtet e marrëveshjes, e cila i është dorëzuar Gjykatës. Pranimi i fajësisë është mbështetur në fakte dhe prova materiale të paraqitura në aktakuzë”, tha prokurori.
Në vazhdim të seancës të gjithë të akuzuarit e tjerë u deklaruan të fajshëm, duke theksuar se kishin kuptuar natyrën e fajit dhe se pranimin e fajësisë e bëjnë në mënyrë vullnetare.
Pas këshillimit të trupit gjykues, gjyqtarja Nushe Kukaj- Mekaj deklaroi se pranimi i fajësisë mbështetet në faktet të cilat i përmban aktakuza, se në mënyre vullnetare të akuzuarit u deklaruan se janë penalisht përgjegjës për veprat penale të cilat u vihen në barrë andaj dhe u aprovua pranimi i fajësisë.
Aktgjykimi do të shpallet nesër, më 31 janar.