Gjykimi për kontrabandim me emigrantë - Foto: KALLXO.com

Polici: Në veturën e të akuzuarve ishte një shtetas afrikan

Në Gjykatën e Gjilanit është mbajtur seanca gjyqësore në rastin e Driton Hajdarit dhe Muhamet Shabanit nga Prishtina, të akuzuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – trafikim me emigrantë, kurse të pandehurin Muhamet Shabani, aktakuza e ngarkon edhe për veprën – sulm ndaj personit zyrtar.

Në këtë shqyrtim gjyqësor ka dëshmuar Januz Banushi, zyrtar i stacionit policor në Gjilan.

Dëshmitari rrëfeu për ngjarjen që ka ndodhur në ditën kritike.

Banushi tregoi se më datë 18 prill 2018, në fshatin Llabjan, është ndalur një automjet për kontroll policor dhe gjatë kontrollit, përveç drejtuesit të automjetit Driton Hajdari, në cilësinë e pasagjerit ishin edhe Muhamet Shabani dhe një shtetas afrikan me emër Mustafa Susel Kumar Thair.

“Pas kontrollit të dokumentacionit, Njësia  e trafikut Gjilan kishte dyshuar se bëhet fjalë për trafikim me emigrantë”, tha dëshmitari.

Më tej ai tha se gjatë marrjes së deklaratës, i akuzuari Muhamet Shabani kishte thënë se qëllimi kryesor i tij kishte qenë që personin (shtetas) afrikan ta dërgojë në Republikën e Serbisë, saktësisht në komunën e Preshevës përmes shokut të tij Driton Hajdari, për ta transportuar më pas deri afër pikës kufitare në fshatin Muçibabë, e nga aty përmes rrugëve ilegale ta fusin në Serbi.

Januz Banushi vazhdoi më tej duke treguar se si ndodhi sulmi ndaj policit Ilmi Hajdari në stacionin policor të Gjilanit.

“I kemi sjellë të dyshuarit në stacion policor dhe kemi njoftuar prokurorin e shtetit. Më pas gjatë qëndrimit në stacion policor, i akuzuari Muhamet Shabani, instiktivisht apo qëllimshëm në mungesë informacioni se gjendet në stacion policor e ka sulmuar me dorë policin Ilmi Hajdari, dhe pasi që në stacion policor në atë moment ishin edhe tre zyrtarë policorë, të cilët me të parë eskalimin e situatës kanë reaguar dhe e kemi vënë situatën nën kontroll”, tha dëshmitari.

“I pandehuri Muhamet Shabani, në momentin e goditjes fillimisht është ngritur në këmbë dhe i njëjti nuk ka qenë korrekt në prezencë të policisë duke arsyetuar veten se është i pafajshëm. E ka sulmuar me dorë Ilmiun e më pas kam reaguar unë dhe komandanti toger Ismajl Abazi dhe më pastaj kemi vazhduar me marrjen e deklaratës”, tha ndër të tjera dëshmitari Januz Banushi.

Ndaj këtyre deklaratave të dëshmitarit pati vërejtje dhe mospajtime i akuzuari, i cili deklaroi se ka vërejtje në këtë deklaratë “ngase Ilmiu më ka sulmuar mua i pari dhe m’u kujtua tani se më ka goditur me shuplakë”.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, Zyhdi Haziri, se ku e ka goditur i pandehuri Muhamet policin Ilmi, si dhe gjatë marrjes së deklaratës ndaj të pandehurit a keni ushtruar dhunë, dëshmitari Januz Banushi u përgjigj: “ Muhameti Ilmiun e ka goditur vetëm njëherë edhe atë në krahun e majtë nën bërryl. Jam i sigurt se askush nga ne nuk ka përdorur dhunë ndaj tij”, u përgjigj në fund Januz Banushi.

Shqyrtimi gjyqësor më tej vazhdoi me leximin e shkresave, ku u lexua deklarata e mundësisë së hetuesisë së veçantë, e të dëmtuarit Susel Kumarthair, pastaj raporti fillestar i incidentit, raporti i policit hetues si dhe raporti mjekësor në emër të të dëmtuarit Ilmi Hajdari, i Spitalit Regjional në Gjilan.

Ndaj leximit të këtyre shkresave paraqiti vërejtjet e tij avokati i të akuzuarit Muhamet, mbrojtësi Ymer Huruglica, i cili kërkoi trupit gjykues që veçanërisht për raportin mjekësor të Spitalit të Gjilanit të bëhet konstatim nga ana e ekspertit mjekësor për natyrën e lëndimeve që ka pasur i dëmtuari Ilmi Hajdari.

Trupi gjykues në përbërje nga gjyqtarët Zyhdi Haziri kryetar dhe Agim Ademi e Menderes Behluli anëtarë, pas këshillimit mori aktvendim ku aprovoi propozimin në fjalë të avokatit Ymer Huruglica, që raporti mjekësor i Spitalit të Gjilanit në emër të dëmtuarit Ilmi Hajdari t’i bëhet ekspertizë mjeko-ligjore, si dhe njoftoi që seanca e sotme të shtyhet dhe tjetra të mbahet më 13 dhjetor 2018.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë në Gjilan, të siguruar nga KALLXO.com, të pandehurit Driton Hajdari dhe Muhamet Shabani akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të kontrabandimit me emigrantë sepse më 18 maj 2018, gjatë ndaljes nga ana e Policisë në fshatin Llabjan, në veturën që e voziste i pandehuri Muhamet, kishte qenë i pranishëm edhe shtetasi nga Afrika e Jugut Mustafa Susel Kumar Thair, i cili nuk posedonte ndonjë dokument udhëtimi, e i cili pas një marrëveshjeje paraprake me të pandehurin Muhamet Shabani janë dakorduar që të njëjtin ta përcjellin përmes rrugëve ilegale për në shtetin e Serbisë, ku për një shpërblim prej 25 eurove ta transportojnë fillimisht në Bujanoc, pastaj në Suboticë.

Ndërsa pika 2 e aktakuzës e ngarkon të akuzuarin Muhamet Shabani për veprën penale sulm ndaj personit zyrtar sepse gjatë kohës sa ishte duke u intervistuar në stacionin Policor në Gjilan, papritmas kishte sulmuar fizikisht zyrtarin policor Ilmi Hajdari, duke e goditur me dorë në dorën e majtë të tij.