Policia e Kosovës fton në intervistë kandidatët që e kanë kaluar testin fizik

Policia e Kosovës ka njoftuar të gjithë kandidatët të cilët me sukses kanë kaluar testin e shkathtësive fizike, ftohen për intervistë me gojë.

Në njoftim thuhet se, vendi i mbajtjes së intervistës me gojë është në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) në Vushtrri.

“Sipas orarit të paraqitur në listat e publikuara në ueb faqen zyrtare të Policisë së Kosovës, në adresën: www.kosovopolice.com dhe në të gjitha Drejtoritë Rajonale të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia gjithashtu shpjegon se në fillim të çdo liste është informimi për kohën, datën dhe vendin se ku do të mbahet intervista me gojë.

Tutje, Policia njofton se kandidatët nga lista e publikuar duhet të paraqiten me kohë në vendin ku është paraparë mbajtja e intervistës duke respektuar vendimin e Qeverisë për masat e COVID-19.

“Kandidatët nga lista e publikuar duhet të paraqiten me kohë në vendin ku është paraparë mbajtja e intervistës duke respektuar Vendimin e Qeverisë të datës 01.03.2022 me nr 01/66 për masat e përgjithshme dhe te veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19”, njofton Policia.

Sipas Policisë kandidatët duhet të respektojnë këto masa:

  • Certifikatën e vaksinimit me më së paku dy doza ose një dozë të vaksinës Janssen kundër COVID-19;
  • Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës përkatëse se kanë kundërindikacione dhe janë të liruar nga vaksinimi, duhet të posedojnë testin RT-PCR negativ për COVID 19 jo më të vjetër se një javë.
  • Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, në ambientet e mbyllura.

Gjithashtu, sipas njoftimit, kandidatët ditën e zhvillimit të intervistës duhet të paraqiten së paku 15 minuta para kohës se caktuar dhe duhet të kenë me vete: numrin e aplikacionit dhe letërnjoftimin ose pasaportën e Republikës së Kosovës.