Polici i shpëton jetën personit të lënduar në aksident trafiku

Policia e Kosovës ka njoftuar se një polic i ka shpëtuar jetën një personi të aksidentuar në fashtin Gllamik të Podujevës.

Sipas njoftimit të Policisë më datën 05.10.2021 rreth mesditës, në fshatin Gllamnik Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku ishin përfshirë tri vetura.

Si pasojë e aksidentit dy persona kanë pësuar lëndime, ndërsa njëri nga të lënduarit kishte marrë lëndime më të rënda dhe gjendja e tij ishte e rëndë.

“Patrulla policore e ndodhur në atë lokacion ka intervenuar menjëherë. Polici H. S., ka kryer një intervenim profesional dhe të shpejtë duke e nxjerr nga automjeti të lënduarin rëndë dhe duke shfrytëzuar njohuritë dhe zhdërvjelltësinë e tij, ka arritur që të lënduarit t’i lirojë organet e frymëmarrjes, ta rehabilitojë gjendjen e tij dhe ta mbajë ashtu derisa ka arritur ekipi emergjent mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.