Policëve që dyshoheshin për shoqërim me grupin e Enver Sekiraqës iu ndërpre suspendimi në janar 2024

Tre policët D. Jashari, V. Fetahu dhe B. Krasniqi më 30.10.2023 ishin suspenduar nga detyra me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Ata dyshoheshin se ishin parë në shoqëri të personave të grupit të Enver Sekiraqës.

Policët ishin parë me Rrahim Abdullahun, person i afërt me Enver Sekiraqën. Ky i fundit aktualisht është në kërkim të Policisë së Kosovës, pasi që u arratis pak kohë pasi Gjykata e Prishtinës e kishte shpallur fajtor për shtytje për vrasjen e Triumf Rizës.

IPK kishte thënë se tre policët ishin parë në shoqëri të një personi i cili ishte cilësuar si me të kaluar kriminale dhe person i dyshuar për nxitjen e vrasjes së pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza.

Të njëjtëve, në janar të këtij viti, pasi u vlerësua se nuk kishte shkelje disiplinore nga ana e tyre, u është ndërprerë suspendimi.

Zyra për Informim e Policisë së Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com tha se Drejtoria për Hetime te Brendshme kishte zhvilluar procedurë disiplinore ndaj punonjësve policorë dhe bazuar në veprimet hetimore, shkresat e lëndës, deklaratat e palëve, analizimin e shkresave të lëndës kanë konstatuar se në këtë rast nuk ka elemente të shkeljes disiplinore.

Kjo, sipas Policisë ndodhi pasi “nuk ka prova, dëshmi që vërtetojnë kryerjen e ndonjë shkelje disiplinore të paraparë me Udhëzimin Administrativ për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës”.

“Të njëjtëve më datë 23.01.2024 iu është ndërprerë suspendimi bazuar në rekomandim të IPK-së” – tha Policia.

Për lidhjet mes zyrtarëve policorë me grupin e Sekiraqës, në një intervistë për “Kallxo Përnime” u deklarua edhe kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj.

A ka lidhje mes policëve dhe grupit të Sekiraqëve? – Flet kryeshefi i IPK-së

Ai tha se nuk e di nëse ka lidhje ky grup me Policinë, por shtoi se ka pasur raste kur janë përfolur zyrtarët policorë për shoqërim me njerëz të rrethit apo të grupit të Sekiraqës.

“Kemi pasur edhe raste kur ne kemi rekomandu suspendimin e disa zyrtarëve policorë, pikërisht për shkak të shoqërimit me persona që kanë qenë një kohë të gjatë në arrati dhe në momentin që janë arrestuar dhe pastaj janë liru janë shoqëru me zyrtarë policorë” – tha Hodaj.

Hodaj tregoi se për rastin e D. Jashari, V. Fetahu dhe B. Krasniqi kanë zhvilluar hetime me autorizim të prokurorit dhe në koordinim me prokurorinë.

Ai tha se nuk është arritur që të sigurohen provat për lidhje direkte të zyrtarëve policorë që kanë mundësuar qoftë pamundësimin e arrestimit të atij qytetari apo për ndonjë favor tjetër.

“Nuk ka rezultu që ata kanë pasur qasje në dosjen apo në rastin në të cilin ka qenë duke u hetuar” – tha kryeshefi.

Tutje ai tha se megjithatë, vetë shoqërimi i zyrtarëve policorë lë një shije të keqe për të gjithë qytetarët, edhe për IPK-në.

Hodaj theksoi se për këtë arsye konsiderojnë që masat disiplinore në këto raste kur ka shoqërim të zyrtarëve policorë me persona që njihen për veprimtarinë e tyre kriminale duhet të jenë të pamëshirshme dhe duhet të jenë masa më të ashpra.

Këta janë policët që u suspenduan pasi dyshohet se u shoqëruan me personin e dyshuar për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza

Shënim: Ky artikull është edituar në titull dhe në përmbajtje, me ç’rast është saktësuar emri i personit – anëtar i dyshuar i grupit të Enver Sekiraqës, si dhe është përmirësuar emërtimi i grupit. Koha e editimit: 28.05.2024, ora 20:50.