Podujevë, komisioneri me nevoja të veçanta që punon për gjashtë vite me radhë në ditën e zgjedhjeve

Dita e zgjedhjeve lokale për të gjashtën herë me radhë Halil Kastratin e gjene duke punuar si komisioner në shkollën Naim Frashëri në komunën e Podujevës.

Halili është person me nevoja të veçanta, por ai e kryen punën tek kontrollimi i votuesve me llambë pa ndonjë telashe.

“Ditën sot e nisa shumë mirë, për detyrë e kam llambën që t’i kontrolloj secilin votues që hynë në vendvotim. Puna deri tash po shkon mirë, nuk ka ndonjë parregullsi”, thotë Kastrati për KALLXO.com.

Halil Kastrati duke e kryer punën e tij si komisioner në njërën nga qendrat e votimit në Podujevë Foto: KALLXO.com

Kastrati kërkoi me shumë mbështetje për personat me nevoja të veçanta ndërsa bëri thirrje që të ketë dalje në votime sa më shumë.

“Punën e bëj me kënaqësi, është viti gjashtë që unë punoj në procesin zgjedhor, vazhdimisht, edhe me llambë edhe diku tjetër, ku te gjejë vetën më lehtë”, thotë ai.

Kastrati ka thënë se personat me nevoja të veçanta janë kategori e anashkaluar dhe ka kërkuar nga shteti që të kenë mbështetje për ta.

“Mesazhi im është që personave me nevoja të veçanta të u kushtohet sa më shumë vëmendje sepse është e vetmja kategori që jemi më te anashkaluar. Kisha bë apel te shteti që t’i mbeshtesin keta persona sepse kane nevoje për kujdes dhe përkrahje”, është shprehur Kastrati.

Duke qenë se ende është në orar të punës, Kastrati ka thënë se ende nuk ka votuar.

“Unë ende s’kam votuar sepse jam në punë ende, po pres që të bëhet ora 16:00 dhe do të votoj”, tha ai.