‘Pishtarët’ i bëjnë thirrje Muharrem Nitajt të veprojë për shkeljet e KelKos-it në Deçan

Organizata për mbrojtjen e ambientit ‘Pishtarët’ përmes një komunikatë i kanë bërë thirrje U. D. ministrit të ri të ekonomisë dhe ambientit Muharrem Nitaj që të veprojë lidhje me shkeljet që janë bërë nga KelKos mbi Grykën e Deçanit.

Ata madje kërkojnë angazhim edhe më të madh për faktin që Nitaj është i këtij vendi.

Pishtarët kanë theksuar se shqetësim kryesor e kanë lëshimin e lejes ujore për HC Lumbardhi 2 që e rrezikon Deçanin të mbetet pa ujë.

Pishtarët konsiderojnë se nëse kjo leje lëshohet, atëherë do ketë shkelje të ligjit pas vendimit të Gjykatës themelore në Prishtinë gjatë vitit 2020 për pezullim të dy leje të lëshuara pak muaj më parë.

Organizata ka shtuar se nëse diçka e tillë ndodhë atëherë do ngritët padi ndaj përgjegjësve.

Pishtarët kërkojnë që të ketë transparence dhe konsultim me banorët lidhur me këto raste.

Më poshtë këni komunikatën e plotë të organizatës ‘Pishtarët’:

“I nderuari ministër z. Nitaj,

Së pari, ju urojmë për postin e ri, një rol me shumë përgjegjësi për Kosovën, e sidomos për Deçanin. Duke marë parasysh se edhe ju jeni nga Deçani dhe duke njohur angazhimin tuaj në çështjen e Kelkosit gjatë kohës sa ishe zv/ministër i Ambientit, ne po e ndjemë obligim t’ju njoftojmë se momentalisht Ministria e Ambientit ështe duke vepruar në dëmë te interesave publike që të mbulojë dhe legjitimojë shkeljet e Kelkosit mbi Grykë të Deçanit. Fatkeqësisht, kjo nuk është asgjë e re, por e reja është se tani kemi një ministër nga Deçani që mund të zgjedh të mos bëhët pjesë e këtyre veprimeve, dhe një shoqëri civile të fortë e të bashkaur që nuk do të lejojë që këto veprime të mbulohen lehtë, ashtu siç ka ndodhe më parë.

Ditëve të fundit na është bërë e ditur se Ministria, Divizioni i Ujërave është duke punuar që të lëshojë Leje Ujore për HC Lumbardhi II në Deçan. Ndoshta kjo veç sa ka ndodhur. Ne po ju shkruajmë t’ju njoftojmë se e tërë Kosova është duke i ndjekur këto zhvillime me shqetësim, sepse jo vetëm që do të mbetet Deçani pa pikë uji, por me këso vendime s’do t’i mbesë fije integriteti institucioneve të Republikës së Kosovës. Stafi i juaj është i vetëdijshem se lëshimi i Lejes Ujore për Lumbardhin II jo vetëm që është në kundërshtim me dispozitat e ligjeve përkatese, por ju e dini se me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë janë pezulluar dy Lejet Ujore të lëshuara nga ju në nëntor 2020 prandaj Ministria nuk është e lejuar të vazhdojë me këto vendime që shkojnë haptazi kundër interesit të publikut dhe rendit ligjor. Duhet të dihet se kjo nuk do të qëndron dhe ndaj përgjegjësve do të ngrihen padi dhe do të ndjeken të gjitha instancat e drejtësisë.

Kjo leje dhe çfaredo leje tjetër për hidrocentralet në Deçan, as nuk duhet të vijnë në konsideratë pa u vendosur një plan i rehabilitimit dhe kompenzimit, që do të ishte i hartuar dhe aprovuar në bashkpunim me banorët e Deçanit, pa u ndërtuar bazeni akumulues, si dhe pa u vendosur mekanizmat e duhur që sigurojnë matjet e ujit në lum. Ju lusim, ta keni parasysh se është obligim ligjor i Ministrisë që publiku dhe ne si banorë të Deçanit të jemi pjesë e procesit të këtyre vendimeve, e jo qëllimisht të përjashtohemi. Prandaj, kërkojmë transparencë dhe presim të na njoftoni se a është Ministria duke shqyrtuar aplikim të Lejes Ujore apo Mjedsiore për Lumbardhin II, dhe se ku është procesi i ndërtimit të bazenit akumulues, rehabilitimit dhe kompenzimit të dëmëve në Zallë e Rupës?

I nderuar minister, kur vjen puna tek Kelkosi, Ministria e Ambientit duket se nuk ka kurrëfarë kompetence në mbrojtje të mjedisit, vetëm mund të shërbeje si mburojë e shkeljeve të Kelkosit duke mohuar të derejtat tona në pjësemarrje të vendimeve publike dhe qasje në dokumente. Për këtë arsye, me 10 janar 2021, 55 organizata joqeveritare nga e gjithë Kosova kemi kërkuar qasje në studimin e Prurjes së Pranueshme Ekologjike që ishte kusht i Lejes Ujore të lëshuar nga Ministria me 4 nëntor 2020 dhe ish dashur të sjellet nga Kelkosi më se largu deri më 4 janar 2021. Ky studim është bazë që përcakton sasinë e rrjedhës në lumë që i nevojitet ekosistemit ujor dhe që Kelkosi nuk guxon të fusë në gypa asnjë pikë më poshtë se kjo sasi. Pra siç e përcakton edhe ligji, Kelkosi kurrë nuk është dashur as nuk duhet të lejohet të operojë pa e ditur dhe respektuar këtë sasi. Por, Ministria e juaj, Divizioni i Ujërave, po e zvarrit qasjen dhe po mundohen të hedhin mjegull duke e shtyrë procesin me arsye të ndryshme, gjithmonë duke premtuar se do të jenë të gatshme “edhe një javë”.

Përgjigja e fundit nga zyrtarët e Ministrisë, me 21 janar 2021, është se keni marë pëlqimin e Kelkosit për t’i ndarë këto dokumente, gjë që sipas tyre është shumë e rëndësishme, por në realitet tregon se Ministria nuk qenka në gjendje të dijë dhe të vendosë pa Kelkosin. Gjithashtu, Ministria paska vendosur që këto dokumente t`i bëjë publike online në mënyre që të gjithë të interesuarit të kenë qasje në të njejtën kohë, prandaj edhe ne duhet të presim deri atëherë e t’i marim nga aty. Të mos e lëmë me kaq, sipas Ministrisë, zyrtarja përgjegjese për përgatitjen e këtyre dokumenteve është në pushim mjekësor dhe nuk dihet kur do të kthehet në punë. I nderuar ministër, kjo qasje ndaj 55 organizatave që përfaqesojnë të gjithë Kosovën është e frikshme dhe tejet e dëmshme për demokracinë tonë të re.

Ky neglizhim herë ketë javë, e herë javën tjeter, pa arsye të pranueshme ligjore, dhe që në realitet është refuzim, po na lë të besojmë se ky studim dhe zbatimi i tij nuk është në planet e Kelkosit dhe as të Ministrisë, por është tentim për të blerë kohë për Kelkosin. Kjo nuk është hera e parë që Ministria i ka lëshuar Kelkosit Leje Ujore me kusht që të bëjë këtë studim të PPEse, por Kelkosi nuk e sjellë. Prandaj, kërkojmë nga ju që të udhëzoni stafin që urgjentisht ose të na dërgohët studimi sot, me evidencë që dëshmon se Kelkosi e ka dorëzuar atë para datës 4 janar 2021, ose të bëni të ditur se nuk e kanë përmbushur këtë kusht.

Duke marë parasysh dëmin që po i bëhet Grykës së Deçanit dhe rendit ligjor, ne ndjejmë obligim t’ju drejtohemi direkt si Ministër, dhe si deçanas për rolin e institucionit që ju e udhëheqni në shuarjen e Lumbardhit dhe të ardhmës së Deçanit. Që prej kur ka ardhur Kelkosi, Ministria e Ambientit ka qenë armiku më i madh i Grykës së Deçanit, prandaj ju lusim ndaleni këtë zinxhir. Mos lejoni të bëhëni edhe ju pjesë e këtij zinxhiri, qoftë edhe pa dashje, sepse për fat të keq, krimet e Kelkosit mbi mjedisn në Deçan, dhe ata që po i mundësojnë këtë po zënë vend të madh në faqet e zeza të historisë sonë.

Faleminderit për vëmendjen e juaj në këtë çështje shumë të rëndesishme për Deçan dhe rendin ligjor. Presim që sa më parë të kemi sqarime për të dy shqetesimet dhe kërkesat tona më lartë. Nëse keni ndonjë pyetje rreth këtyre shqetësimeve, ju lutem na lajmëroni dhe më kënaqesi do të diskutonim më shumë”.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.