Organizata ‘Pishtarët’: Ministria e Ambientit po planifikon leje të reja për KELKOS-in në Deçan

Organizata jo-qeveritare ‘Pishtarët’ ka thënë se Ministria e Ambientit është duke planifikuar që të lëshojë leje të reja për hidrocentrale në Deçan, kompanisë private KELKOS.

Përmes një komunikate për media, kjo organizatë ka thënë se gjatë ditës së djeshme, ministri i Ambientit, Liburn Aliu, ka pranuar nga KELKOS-i një plan për restaurimin e Zallit të Rupes në Deçan.

Por kjo organizatë pretendon se ky plan është bërë pa pëlqimin e komunitetit dhe të shoqërisë civile.

“Muajin e kaluar ne jemi kontaktuar nga drejtori i ri i KELKOS-it, Valon Berisha, ku u prezantua dhe shprehu dëshirën për bashkëpunim. Ne ju përgjigjem se jemi që të punojmë së bashku për të adresuar rehabilitimin e Grykës së Deçanit, por e bëmë të qartë që së pari duhet të hartojmë një plan se si do të vazhdojmë përpara, çka do të përfshijë rehabilitimi, sa do të jenë fondet”, thuhet në komunikatë.

Tutje, në komunikatë thuhet se organizata ‘Pishtarët’ ka informata se ministria është duke punuar që të lëshojë leje të reja për KELKOS-in, që të i zëvendësojë ato që janë suspenduar nga Gjykata Supreme.

“Ky hap i ministrisë nuk i përfshinë as banorët e prekur dhe as OJQ-të që kanë punuar në këtë çështje me vite”.

Në anën tjetër, organizata ‘Riverwatch’ që ministria e Ambientit e ka përmendur se me përzgjedhjen e kësaj kompanie, si palë neutrale, është paraqitur koncepti për restaurimin e Zallit të Rupes, ka reaguar përmes një komunikate për media, duke thënë se nuk ka qenë pjesë e proces të rihapjes së hidrocentraleve.

“Në tekstin e ministrisë përmendet ‘Riverwatch’ dhe disave mund mund t’i krijojë përshtypjen se kemi qenë pjesë e procesit të rihapjes së hidrocentraleve dhe se ne kemi dhënë një dritë jeshile. Kjo nuk është e vërtetë. ‘Riverwatch ka rekomanduar ekspertin Christoph Hauer për të vlerësuan situatën”, thuhet në reagimin e tyre.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.