Gjykimi për hidrocentralet në Deçan, sot u mbajt seanca e fundit

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur sot seanca e fundit e shqyrtimit të padisë në lidhje me  licencat e “KelKos Energy”, të lëshuara nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Faton Selmanaj, Muharrem Lulaj dhe Xhavit Kuçi me përfaqësuesen Valtida Shukriu kanë bërë padi kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Përmes kësaj padie ata kanë kërkuar që të anulohen shtatë akte administrative të cilat lejojnë kompaninë “KelKos” të operojë dy hidrocentrale në Lumbardhin e Deçanit. Vendime këto të nxjerra nga palët e paditura MEA dhe ZRRE.

Palë në këtë procedurë janë edhe GLPS dhe organizata “Pishtarët”, të përfaqësuara nga avokatja Shukriu si palë ndërhyrëse si dhe “KelKos” si palë e interesit me përfaqësues Granit Vokshin.

Gjatë kësaj seance përfaqësuesja Shukriu ndër të tjera ka deklaruar se në bazë të një raporti të inspektimit në terren nga Ministria e Planifikimit Hapësinor është konstatuar se është humbur një burim i ujit të pijshëm për qytetarët e Deçanit si e drejtë themelore e njeriut dhe rrjedhimisht është vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës si dhe është shkelur Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut.

Në lidhje me këtë, avokati Vokshi në deklaratën e tij ka thënë se ky pretendim është i bazuar në një raport të para nëntë viteve dhe se paditësit nuk kanë legjitimitet të flasin në emër të banorëve të Deçanit.

Tutje, Shukriu ka shtuar se në procedurën e lëshimit të lejeve ujore është pamundësuar pjesëmarrja e publikut, kështu duke u vepruar në kundërshtim me Ligjin për ujëra dhe udhëzimin administrativ për procedurat e lejeve ujore.

Këtë e ka kundërshtuar pala e paditur – ZRRE me përfaqësuesin ligjor Ymridin Misini,  i cili tha se ky pretendim nuk qëndron fare dhe se kjo është dëshmuar përmes shkresave përkatëse të lëndës.

Shukriu ka shtuar se organet shtetërore kanë dështuar të bëjnë rehabilitimin e zonës së prekur nga mjedisi si kriter për lëshimin e lejes mjedisore, rrjedhimisht duke shkelur Ligjin për mbrojtjen e mjedisit dhe ligjin për vlerësimin e ndikimit në mjedis.

Kurse në deklaratën e tij, përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit ka kundërshtuar në tërësi padinë dhe kërkesëpadinë e paditësve, duke deklaruar se vendimi mbi dhënien e lejes ujore është bërë në pajtim me Ligjin për mbrojtjen e mjedisit dhe ligjeve të tjera përkatëse.

Vendim ky, i cili është atakuar përmes kësaj padie.

Tutje gjyqtari i vetëm gjykues, Kreshnik Kaçiu, ka administruar provat materiale.

Ndër këto prova figuron edhe publikimi i KALLXO.com i cili ka shtjelluar largimin e drejtorit të autoritetit të lumenjve, i datës 25 maj 2021. Provë kjo e propozuar nga avokatja Shukriu.

Në mesin e provave u administruan edhe dy prej aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese si dhe një peticion kundër hidrocentraleve të Lumbardhit të Deçanit.

Në fjalët përfundimtare Ymridin Misini, i cili përfaqëson ZRRE-në,  ka kërkuar nga Gjykata e shkallës së parë që të refuzojë padinë e palëve paditëse dhe palëve ndërhyrëse.

Ndërsa palët e tjera kërkuan që fjalët përfundimtare t’i dorëzojnë me shkrim, me ç’rast Gjykata i obligoi që të njëjtat t’i dorëzojnë brenda shtatë ditësh.

Me këtë seancë gjyqtari Kaçiu e shpalli të mbyllur këtë kontest.

Me këtë padi, paditësit kishin kërkuar që të shtyhet ekzekutimi i akteve të të paditurës – Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, dhe atë vendimi për leje ujore për hidrocentralin Belaja, vendimin për leje ujore të hidrocentralit Deçani, vendimi për leje mjedisore i hidrocentralit HC Belaja dhe vendimi për lejen mjedisore të hidrocentralit Deçani.

Gjithashtu me këtë padi të njëjtit kishin kërkuar që të shtyhet ekzekutimi i akteve të të paditurës ZRRE siç janë; Licenca për prodhim të energjisë elektrike për HC Deçani dhe licenca për prodhimin e energjisë elektrike HC Belaja.

Tutje në padi të njëjtit kanë kërkuar anulimin e tetë akteve të ndërlidhura të Ministrisë dhe Rregullatorit. Pasi që sipas paditësve, këto vendime i mundësojnë një kompanie private që të prodhojë energji në dy hidrocentrale.

E kështu, sipas tyre, duke dëmtuar rëndë lumin e duke lënë banorët e trevës pa ujë për pije dhe ujitje.