Rasti penal ndaj ‘Kelkos Energy’ shkon në procedurë të ndërmjetësimit

Prokuroria e Pejës, gjatë këtij muaji ka ngritur aktakuzë ndaj “Kelkos Energy” e cila operon me hidrocentralet në Deçan.

Kjo aktakuzë është edhe ndaj personit përgjegjës George Woeber, për shkak të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Palë e dëmtuar në këtë rast penal sipas aktakuzës është Sh.P.K “Lika Trade”.

Ky rast penal ka shkuar në procedurë të ndërmjetësimit.

Nëse palët arrijnë marrëveshje, rasti do të konsiderohet si i mbyllur.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftoj se me datë 24.05.2021 lënda është dërguar në procedurë të ndërmjetësimit”, thuhet në një përgjigje të Gjykatës së Pejës dhënë për KALLXO.com.

Në aktakuzë thuhet se si pasojë e rrjedhjes së vrullshme të ujit, nga kanali (tubacioni) i cili shërben për qarkullimin dhe mbledhjen e ujit dhe dërgimin e tij për furnizimin e hidrocentraleve, të cilat administrohen dhe menaxhohen nga Sh.P.K “Kelkos Energy”, u shemb në tërësi  dheu dhe shkaktoi dëme në rrugën e cila ishte përgatitur për asfaltim, në gjatësi prej tre kilometrave, duke i shkaktuar dëme materiale edhe punëkryesit  të rrugës, të dëmtuarës Sh.P.K “Lika Trade”.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur me datë 30 prill të vitit 2020, rreth orës 16:50, në Deçan, konkretisht në segmentin e rrugës Deçan- Plavë,

Prokurori i shtetit i ka propozuar gjykatës kompetente, që i pandehuri G.W., dhe personi juridik SH.P.K “Kelkos Energy” , të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë.

Prokuroria e Pejës ngrit aktakuzë ndaj “Kelkos Energy”