Piloti bën formën e zemrës me aeroplan mbi Kosovë

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror- ASHNA ka njoftuar se një pilot ka kërkuar që të bëjë zemrën mbi qiellin e Kosovës me aeroplan.

Kjo formë e zemrës mbi Kosovën është bërë si shenjë përkrahjeje për vendin tonë në kohën kur po përballet me pandeminë e coronavirusit.

Sipas ASHNA-s, kërkesën e ka miratuar kontrollori i trafikut ajror.

“Sot më kërkesë të pilotit dhe me miratim të kontrollorit të trafikut ajror, aeroplani i kompanisë Chair në linjën Cyrih – Prishtinë bëri simbolin e zemrës në qiellin e Kosovës si shenjë përkrahjeje për vendin tonë në këto momente të vështira për gjithë ne, si rrjedhojë e virusit Covid-19. ASHNA dhe personeli i saj, Kontrollorët e Trafikut Ajror, Inxhinierët e pajisjeve aeronautike, Meteorologët aeronautikë dhe Zyrtarët e Informacionit Aeronautik vazhdojnë në ofrojnë shërbimet e tyre për të mbajtur hapur të vetmen portë të Kosovës me botën. Urojmë që së shpejti në njërin nga këta aeroplanë që po vijnë në Kosovë, të vijë edhe vaksina e ilaçet për të mposhtur këtë armik të padukshëm”, thuhet në njoftimin e ASHNA-s.