Pezullohen nga puna 9 zyrtarët e dyshuar në rastin 'Subvencionet'

Janë pezulluar nga puna nëntë zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë të cilët janë arrestuar në aksionin e fundit të Krimeve Ekonomike si të dyshuar për keqpërdorim të subvencioneve.

Sipas Ministrisë që udhëhiqet nga Faton Peci, pezullimi nga puna i zyrtarëve është bërë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi dhe vlen deri në pranimin e një vendimi nga Gjykata lidhur me fajësinë apo pafajësinë e tyre.

“Ju njoftoj se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, pas pranimit të shkresës zyrtare nga Organet e Prokurorisë dhe me qëllim të respektimit të ligjshmërisë dhe procedurave që janë në zhvillim e sipër, ka marrë vendim për pezullimin nga puna të nëntë (9) zyrtarëve të arrestuar në aksionin e fundit të realizuar nga organet e rendit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me datë 30.06.2021”, ka thënë zyra për media e Ministrisë së Bujqësisë për KALLXO.com.

30 qershor është vala e dytë e arrestimeve në rastin “subvencionet”. Në këtë rast nën pranga përfunduan Bejtulla Pira, Granit Abdyli, Valon Hoti, Enver Ibishi, Blerim Mulliqi, Kujtim Zariqi, Arsim Çela, Habibe Dauti, Musa Nivokazi, Lulzim Hajdaraj, Flamur Zeqiri, Blerim Asllani, Afrim Abazaj, Halil Krasniqi, Daut Kabashi, Bekim Shala, Salih Kelmendi, Gëzim Morina, Kastriot Berisha, Fuat Morina dhe Kumrije Maxharraj.

Këta persona u arrestuan në aksione të ndryshme në policisë në Prishtinë, Podujevë, Pejë, Gjilan dhe Istog.

14 prej tyre janë zyrtar të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë dhe të tjerët zyrtarë të komunave të Kosovës.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar rreth 433,160 euro, 600 dollarë, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8 vetura, një kompjuter, pesë armë, një USB dhe një vulë.

Ndërkaq, më shumë se 15 persona, disa nga ta zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, janë arrestuar në muajin shkurt nën dyshimin se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet e disa bujq, u arrestuan nën dyshimin se kanë dhënë ryshfet për të mundësuar marrjen e disa subvencioneve nga ana e Ministrisë.

Në fund të muajit mars, me kërkesën e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci është marrë vendim për pezullimin e përkohshëm nga marrëdhënia e punës në shërbimin civil të Kosovës për pesë zyrtarë të Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë.