Paratë e konfiskuara nga arrestimet e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, Foto: KALLXO.com

Si u zbulua skema e korrupsionit me subvencione?

Më shumë se 15 persona, disa nga ta zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, janë arrestuar javën e kaluar nën dyshimin se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet e disa bujq, u arrestuan nën dyshimin se kanë dhënë ryshfet për të mundësuar marrjen e disa subvencioneve nga ana e Ministrisë.

Dosjet hetimore të Policisë e Prokurorisë të transmetuara  zbardhin skemën e organizimit dhe përfitimit material të zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë nga subvencionet e dhëna.

E gjitha kishte filluar kur në dhjetor të vitit të kaluar Departamenti i Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kishte pranuar një informacion se po kërkoheshin para për dhënien e subvencioneve nga ana e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë.

Nga ky informacion në janar të këtij viti Policia me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kishte nisur të zbatonte edhe masat e fshehta, ato të përgjimit për të zbardhur të gjithë rrjetin.

Kamera përgjuese ishin vendosur edhe brenda Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë brenda Ministrisë dhe nga aty përgjohej çdo lëvizje, sjellje, bisedë e telefonatë e cila më vonë u vërtetua edhe se informacionet e marra në dhjetor ishin të vërteta.

Për 15 ditë, të gjitha bisedat e telefonatat mes zyrtarëve të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë kishin grumbulluar një mori provash të cilat do rezultonin në fund me arrestimin e disa prej tyre.

Çka thonë raportet e hetuesisë?

Raporte nga përgjime të 15 ditëve të cilat u bënë nga brenda zyrave të Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë tregonin provat me të cilat do të përballeshin të dyshuarit tashmë të pandehur gjatë procesit gjyqësor pas ngritjes së aktakuzës ndaj tyre.

Njëri nga raportet thotë: “Nga audio dhe video-incizimet vërtetohet se të pandehurit marrin ryshfet më pas edhe e ndajnë mes vete. Filmimet argumentojnë se përfituesit e subvencionit detyrohen të shkojnë në bankë, të pranojnë paratë dhe brenda ditës t’i sjellin në Agjenci. Ka raste kur për shkak se zyrtarët nuk u besojnë atyre, përfituesit janë të obliguar të paguajnë edhe kapar”.

Në raportin e hetuesisë për Prokurorinë e Prishtinës madje jepen edhe detaje të tjera në lidhje me rastin. Aty zbardhet se si jepen paratë përmes zarfeve dhe se si ndahen ato. Njëri nga raportet thekson se zyrtari Berat Nikaj sipas përgjimeve ishte takuar me drejtorin Luan Statovci dhe se me të dyshohet edhe se i ka ndarë paratë nga 2 mijë deri në 5 mijë euro brenda zyrës, para këto që janë dhënë përmes zarfeve.

Masat e fshehta zbardhën edhe se Adushe Ukshini i kishte dhënë para drejtorit Statovcit në zyrën e këtij të fundit.

Sedat Shkodra sipas masave të fshehta është parë deri sa kishte marrë para brenda zyrës në agjenci dhe të cilat më pas i kishte ndarë edhe me kolegët e tjerë.

Një raport tjetër tregon se njëri nga të arrestuarit Maxharraj, i kishte thënë Luan Statovcit se i ka sjell disa para në vlera të ndryshme deri në 12 mijë euro.

Para pretendohet se ka marrë edhe i pandehuri tjetër Kushtrim Zogaj. Edhe një zyrtare tjetër Kastriote Bajrami Sejdiu sipas përgjimeve doli se ishte takuar me Luan Statovcin dhe Sedat Shkodrën.

“Sedati në prezencën e drejtorit Luan Statovci i kërkon Kastriotes shumën prej 2 mijë eurove dhe pas negociatave të zhvilluara dakordohen që puna të kryhet për shumën 1 mijë euro”, thotë nëjri nga raportet e cila zbardh përgjimet brenda zyrave të Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë.

Grupi sipas dosjes së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, dyshohet se fillimisht identifikonin bujqit apo fermerët të cilët kishin aplikuar për subvencione por nuk i plotësonin kriteret për të fituar.

Të njëjtit fermerë dhe bujq kontaktoheshin nga grupi i zyrtarëve të Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë e më pas binin dakord në lidhje me shumën e parave që do të ndaheshin për dhënien e subvencioneve.

Më 24 shkurt të muajit të kaluar ishte marrë urdhri për bastisjen e zyrave të Ministrisë së Bujqësisë dhe shtëpive të tashmë të dyshuarve zyrtarëve të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Katër zyrtar u arrestuan në zyret e Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë në Prishtinë mëngjesin e 24 shkurtit. Aksioni ishte shtrirë edhe në disa lokacione të tjera të Kosovës si, Istog, Gjilan e Lipjan.

Përgjimet treguan edhe se Drejtori i Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë, Luan Statovci kishte deklaruar se kishte një shumë prej 600 mijë eurove të fshehura diku. Grupi hetimor i policisë kishte zbuluar se paratë ishin vendosur në shtëpinë e vëllait të Luan Statovcit, Salihut.

Ky i fundit po dyshohet për negocim dhe marrje të mitës në këtë rast. Të gjitha provat të cilat ishin konfiskuar gjatë bastisjeve në disa lokacione të ndryshme nëpër Kosovë, ishin vendosur në dhomën e dëshmive brenda Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Pamjet ekskluzive të transmetuara sonte në emisionin e Kallxo Përnime, shfaqën paratë, telefonat që ishin konfiskuar nga shtëpitë dhe banesat e të dyshuarve.

Përveç parave janë konfiskuar edhe disa vetura, disa kompjuterë që dyshohet se janë përdorur për të kryer veprat penale për të cilat dyshohen zyrtarët e ministrisë.

Çka thanë avokatët e të dyshuarve?        

Pas arrestimeve të zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë nën dyshimin se kanë kryer keqpërdorim të detyrës zyrtare kanë marrë e dhënë ryshfet në lidhje me ndarjen e subvencioneve për bujq e fermerë, të njëjtit pas 48 orëve ndalim kishin dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake pasi prokurori i rastit kishte kërkuar paraburgimin e tyre.

Gjykata vendosi që të dyshuarit t’i dërgonte në paraburgim për 30 ditë ndërsa hetimi do të vazhdonte edhe më tej.

Arianit Koci është njëri nga avokatët e njërit nga të dyshuarve në lidhje me rastin e subvencioneve të ndara nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.

“Prokuroria po e shkel parimin e barazisë sepse ne avokatëve nuk na ka dhënë asnjë provë, ndërsa dokumentet, përgjimet, incizimet po rrjedhin në media prandaj nuk mund të deklarohem për këtë çështje”, tha Koci.

Behar Ejupi, avokat i Pajtim Krasniqit, tregoi se ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgimin e klientit të tij.

“Prokuroria pretendon se klienti im ka kryer dy vepra penale, dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Prokuroria pretendon se ka prova të mjaftueshme, mbrojtja e ka kundërshtuar duke pasur parasysh se klienti im nuk punon në pozitën që konsiderohet që ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare. Edhe avokatët tjerë kanë kundërshtuar masën e paraburgimit dhe i mbetet gjykatës të caktoj apo jo masën e paraburgimit”, tha Ejupi.

Naim Rudari, avokati i njërit nga të dyshuarit në lidhje me rastin e korrupsionit me subvencione, tha se e ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë.

“Prokuroria ka paraqitur pikëpamjen e saj ndërsa ne kemi kundërshtuar kërkesën për paraburgimin dhe tani pritet vendimi i gjykatës në lidhje me këtë kërkesë”, shtoi Rudari.