Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përplasje mes Arben Vitisë dhe Uran Ismailit për kompetencat e kryetarit të komunës

Kandidatët për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, në Debat Pernime kanë polemizuar për atë se cilat janë kompetencat e kryetarit të komunës.

“Përplasja” ndodhi në pjesën kur po flitej për shfrytëzimin e pronave publike të kryeqytetit dhe ankandin për dhënien në shfrytëzim të tyre.

Ismaili tha se duhet pranuar problemet që janë në Prishtinë, si edhe për temën e pronave. Ai shtoi se nuk ka qenë ministër për prona, por për për t’i rregulluar stentat, në kohën kur ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë.

“Ministër nuk kam qenë për prona, ministër kam qenë për me i rregullu stentat, e kam ndalë korrupsionin. Pronat qysh janë ndërruar unë po pyes shumë thjesht: A janë ndërru pronat në mes pronarëve të ndryshëm për qëllime të ndërtimit privat? ”, tha ai, në një debat fillimisht që ka pasur me kandidatin e AKR-së për Prishtinën, Gëzim Mehmeti.

Pak më vonë gjatë debatit, Vitia tha se kryetari e ka për obligim të bëjë politika.

“Keni qenë ministër z. Ismaili jo për t’i rregulluar stentat, që çdo herë edhe këtu po i përzien politikat dhe atë se çka duhet të bëjë kryetari me atë çka duhet të bëjnë ekspertët. Domethënë kryetari bën politika, urbanisti bën plane, ministri bën politika, rregullimin e bëjnë drejtorët në ShSKUK dhe profesionistët shëndetësor”, u shpreh ai.

Duke iu kundërpërgjigjur Vitisë, Ismaili nga PDK tha se këtu ai ka një dallim të madh me të tjerët.

“Unë e konsideroj veten ministër praktik dhe kryetar praktik. Unë nuk rri në zyrë, as atëherë nuk kam nejt në zyrë. Unë e di çka janë politikat sepse e kam kryer një shkollë për atë punë. Por e di çka është implementimi”, tha ai.

Sonte, për herë të parë, kandidatët për kryetar të Prishtinës debatojnë mes vete në #DebatPernime.

Kandidatët për kryetar të Prishtinës të cilët do të shpalosin programet dhe planet e tyre për kryeqytetin për katër vitet e ardhshme.

Se si do të duket Prishtina në vitin 2025 do të tregojnë: Arben Vitia nga LVV; Avni Çakmaku nga Fjala; Daut Haradinaj nga AAK; Florim Isufi Partia Balliste; Gëzim Mehmeti nga AKR; Përparim Rama nga LDK dhe Uran Ismail nga PDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës së Prishtinës janë edhe kandidatet për asambliste: Diona Mejzinolli nga LVV; Donjeta Dragusha nga LDK; Dhurata Salihi nga AAK; Eliza Hoxha nga PDK; Figen Shabani nga KDTP; Fiknete Bejta nga AKR dhe Marigonë Tahiri nga Lëvizja për Bashkim.