Oficerët e policisë duken përreth viktimës në Portland, Oregon - Foto: VOA/Reuters

Përplasen mbështetësit e presidentit Trump dhe protestuesit, vritet 1 person

Një person u vra me armë zjarri mbrëmë vonë në Portland, të shtetit Oregon, ndërsa një karvan i madh i mbështetësve të Presidentit Donald Trump dhe protestuesit e Lëvizjes Black Lives Matter (Jetët e Afrikano-Amerikanëve Kanë Rëndësi) u përplasën në rrugë, tha policia.

Nuk ishte e qartë nëse të shtënat ishin të lidhura me përplasjet që shpërthyen ndërsa një autokolonë prej rreth 600 automjetesh u përball me protestuesit në qendër të qytetit. Një korrespondent i Associated Press pa ekipin mjekësor të policisë me trupin e viktimës, i cili dukej se ishte një mashkull i bardhë.

Portland, qyteti më i madh në shtetin veriperëndimor Oregon, ka qenë vendi i protestave të natës për më shumë se tre muaj nga vdekja e George Floyd-it ndërsa mbahej nga policia në Minneapolis. Qindra janë arrestuar dhe, para të shtënave, policia bëri disa arrestime të shtunën duke I këshilluar njerëzit të shmangnin qendrën e qytetit.

Skena kaotike vjen dy ditë pasi Presidenti Trump e përmendi Portlandin si një qytet liberal të përfshirë nga dhuna në fjalimin që mbajti në Kuvendin Kombëtar Republikan si pjesë e temës së tij për rizgjedhjen, “ligj dhe rend”. Karvani shënoi të shtunën e tretë me radhë që mbështetësit e Presidentit Trump mblidhen në këtë qytet.

Ndërsa karvani mbërriti në qytet, protestuesit u përpoqën t’i ndalonin duke qëndruar në rrugë dhe duke bllokuar urat.

Videot nga vendi i ngjarjes tregonin përplasje sporadike dhe mbështetësit e Presidentit Trump që gjuanin drejt kundërshtarëve me plumba plastikë (të përdorura për lojën paintball) si dhe sprei, ndërsa kundër-protestuesit hidhnin sende ndaj karvanit.

Demonstratat e lëvizjes Black Lives Matter zakonisht synojnë ndërtesat e policisë dhe ato federale. Disa protestues kanë bërë thirrje për ulje në buxhetet e policisë ndërsa kryebashkiaku i qytetit dhe personalitete të komunitetit afrikano-amerikan kanë denoncuar dhunën, duke thënë se ajo është kundërproduktive./VOA