Përparim Rama i dhuron "Çelësin e qytetit" ish-kryeministrit britanik, Tony Blair

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në takim ish-kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, me ç’rast i ka dhuruar “Çelësin e qytetit”.

Blair dhe Rama fillimisht kanë zhvilluar një takim të mbyllur për media.

Gjatë ditës, Blair ka zhvilluar takime të ndara edhe me krerët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti e kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Blair po ashtu i është adresuar sot, më 10.06.2024, deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ai është shprehur i nderuar dhe falënderues për mikpritjen që iu bë në Kosovë.

Kështu tha ai në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës të organizuar për nder të tij, në 25- vjetorin e çlirimit të Kosovës.

“Në 10 qershorin e para 25 vjetëve u arrit marrëveshja për tërheqjen të plotë dhe pa kushte të forcave pushtuese nga territori i Kosovës. Kosova ishte më në fund e lirë, njerëzit e saj kishin mundësinë të jetonin përsëri, të shpresonin përsëri, të besonin përsëri”-  ishin fjalët e para të Tony Blair, gjatë adresimit në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me Blair, deklaroi se që 25 vjet, çdo ditë kosovarët janë falënderues ndaj tij.

Blair, së bashku me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, konsiderohen si mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës gjatë periudhës së luftës.

Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për kontributin që ai e ka dhënë, disa të rinj në Kosovë e bartin emrin e tij.