Foto: REL/Reuters

Përkundër pandemisë, shtohet puna dhe punësimi në tregtinë me pakicë

Përkundër situatës së pandemisë me COVID-19 në Kosovë, tregtisë me pakicë iu shtua puna dhe së bashku me të, u rrit edhe punësimi. Puna u shtua kryesisht në dyqanet e specializuara për shitjen e pajisjeve të Teknologjisw Informatike dhe Komunikimit (TIK) dhe atyre shtëpiake.

Në tremujorin e katërt (TM4), tetor-dhjetor të vitit që shkoi, krahasuar me tremujorin paraprak shënohet rritje.

“Tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, në dyqane të specializuara (41.5%); Tregtia me pakicë e mallrave të tjerë në dyqane jo të specializuara (34.4%); Tregtia me pakicë e karburantit për automjete, në dyqane të specializuara (29.2%); Tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara (28.6%)…”, thuhet në komunikatën e Agjencisw sw Statistikave tw Kosovws (ASK).

Më tej thuhet se tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit, në dyqane të specializuara 24.7 për qind, tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje 24.3 për qind, tregtia me pakicë e pajisjeve të tjera shtëpiake në dyqane të specializuara 20.9 për qind  dhe te tregtia me pakicë e mallrave kulturore dhe të argëtimit, në dyqane të specializuara 1.4 për qind.

Tremujori i fundit i vitit të kaluar në raport me periudhën e njëjtë të 2019-ës, tregon se puna në tregtinë me pakicë u shtua falë tregtisë së pajisjeve të TIK-ut.

“Në TM4 2020, krahasuar me TM4 2019 ka pasur rritje te: Tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit, në dyqane të specializuara (54.3%); Tregtia me pakicë e pajisjeve të tjera shtëpiake në dyqane të specializuara (5.5%); si dhe te tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara (4.7%).”, bwn tw ditur ASK.

Derisa rënie ka shënuar tregtia me pakicë e mallrave kulturore dhe të argëtimit, në dyqane të specializuara -48.6 për qind; tregtia me pakicë e karburantit për automjete, në dyqane të specializuara -27.7 për qind; tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje -27.5 për qind, tregtia me pakicë e mallrave të tjerë në dyqane të specializuara -12.5 për qind si dhe tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, në dyqane të specializuara -10.0 për qind.

Rritet punësimi në tregtinë me pakicë

Në tre muajt e fundit të vitit 2020, numri i punëtorëve në tregtinë me pakicë ka shënuar rritje në raport me tremujorin paraprak. Kontribuues në këtë rritje pati tregtia me pakicë e karburantit për automjete, në dyqane të specializuara 64.3 për qind; tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, në dyqane të specializuara 45.9 për qind; tregtia me pakicë e mallrave të tjerë në dyqane të specializuara 33.5 për qind; tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit, në dyqane të specializuara 30.1 për qind, si dhe në tregtitë tjera me pakicë me përqindje më të vogël.

Tremujori, tetor-dhjetor i 2020-ës, regjistron numrin më të madh të punëtorëve edhe në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Tregtia me pakicë e pajisjeve shtëpiak dhe atyre ushqimore, pije dhe duhan punësoi më shumë punonjës.

“Tregtia me pakicë e pajisjeve të tjera shtëpiake në dyqane të specializuara 10.1%; tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, në dyqane të specializuara 9.2%; tregtia me pakicë e mallrave kulturore dhe të argëtimit, në dyqane të specializuara 4.6%; tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara 2.0%”, thuhet në raportin e ASK-së.

Derisa rënie kanë shënuar tek tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit, në dyqane të specializuara 21.4 për qind; tregtia me pakicë e karburantit për automjete, në dyqane të specializuara 3.0 për qind; tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje 2.6 për qind dhe tregtia me pakicë e mallrave të tjerë në dyqane të specializuara 1.5 për qind.

Këto të dhëna statistikore, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura në raportin, “Statistikat e Tregtisë me Pakicë” për tremujorin e katërt (TM4) 2020. Përmes së cilit janë prezantuar të dhëna për qarkullimin dhe numrin e të punësuarve.