Përfundon protesta e BSPK-së, kërkojnë nga 100 euro shtesë për të gjithë të punësuarit

Me qindra sindikalistë të Kosovës janë mbledhur sot tek Teatri Kombëtar, pranë Qeverisë së Kosovës për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre.

Këta sindikalistë, të organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kanë tri kërkesa kryesor për qeverinë.

Vazhdimi i pagesës prej 100 eurove për çdo muaj deri sa të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave, fillimi i zbatimit të Ligji për Sigurimin Shëndetësor dhe plotësim-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, sidomos të ndryshohen disa nënparagraf të Nenit 8, që thirret në Ligjin e Sigurisë Pensionale të vitit 1983, pra sipas të cilit kërkohet që të ketë 15 vjet kontribut në skemat pensionale para 1 janarit të 1999-ës.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli ka thënë se vazhdimi i pagesës prej 100 euro është një kërkesë e arsyeshme.

“Jemi këtu bashkërisht që të themi që duam dhe kërkojmë arsyeshëm rritjen e pagës së 100 eurove për të gjithë të punësuarit”, ka thënë Hykolli.

Tutje ai ka thënë se mos plotësim-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale është diskriminim.

Madje, Hykolli ka thënë se kërkojnë që Ligji për Sigurimin Shëndetësor duhet që të hy në funksion sa më parë.

“Po i drejtohem parterit tonë social, Qeverisë së Kosovës. Ju e dini se ne jemi shtyllat e këtij vendi, e ju e dini që shtyllat e bëjnë kulmin. Kur të shembën shtyllat, shembet edhe kulmi”, ka thënë i pari i BSPK-së.

Në anën tjetër, kryetari i Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari ka paralajmëruar se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohet, atëherë do të merren veprime më të rënda, pra greva të përgjithshme.

“Është turp që të qëndroni në Amerikë e të mos dilni para këtyre punëtorëve që po rrinë në diell”, ka thënë ai duke shtuar se “Heshtja e tyre tregon që ata e dinë se ne kemi të drejtë”.

Një proteste e tillë është mbajtur edhe para më shumë se një muaji.

Më 8 prill të këtij viti, BSPK-ja kishte mbledhur qindra sindikalist që kanë protestuar për kërkesa të njëjta siç kanë qenë ato të ditës së sotme.

Përfundon protesta e qindra sindikalistëve, një nga kërkesat është që të miratohet Ligji për Paga