Foto: KALLXO.com
Përfundon protesta e qindra sindikalistëve, një nga kërkesat është që të miratohet Ligji për Paga
Qindra sindikalist të Kosovës kanë protestuar sot me qëllim që të plotësohen tri nga kërkesa që ata kanë për Qeverinë e vendit.
Kërkesat e tyre janë që të miratohet i Ligji i Pagave, që të fillohet zbatimit i Ligjit për Sigurimin Shëndetësor dhe që të bëhet plotësim-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti ku disa nga nenet thirren në Ligjin e Sigurisë Pensionale të vitit 1983, ku kërkohet që qytetari të ketë 15 vjet kontribut në skemat pensionale para datës 1 janar 1999.
Madje, protestuesit janë dakorduar që deri në momentin e miratimit të Ligjit të Pagave, të bëhet rritja e pagave për 100 euro për të gjithë të punësuarit që marrin paga nga buxheti i Kosovës.
Protesta e këtyre sindikalistëve ka nisur nga Biblioteka Kombëtare dhe ka përfunduar tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
Organizator i kësaj proteste ka qenë Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Kryetari i BSPK-së ka thënë se janë duke e kërkuar vetëm atë që i takon, ndonëse, sipas tij, punëtorëve i takon shumë më shumë sesa po kërkohet.
Ai shtoi se kërkesat e tyre janë të arsyeshme dhe jo rënduese.
“Qeverisë i mbetet barra nëse nuk plotësohen këto kërkesa. Sindikatave i mbetet rruga e padëshirueshme, e cila është rruga e grevës”, u shpreh Hykolli.
Në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari gjatë protestës ka paralajmëruar se të gjithë punëtorët e arsimit nga 20 prilli do të jenë në greva nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
“Punëtorët e arsimit, që nga çerdhet e deri në universitet do të jenë në grevë nga 20 prilli”, u shpreh Jashari.
Tutje, Qeverinë e Kosovës ai e ka cilësuar si shembullin më të keq të heshtjes dhe të mungesës së gatishmërisë për dialog.