Gjykata në Prizren
Përfundon intervistimi i kandidatëve për kryetar të Gjykatës së Prizrenit
Ish-kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skender Çoçaj, nuk ka marrë pjesë në procesin e intervistimit të kandidatëve për kryetar të Gjykatës së Prizrenit.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar vetë Çoçaj, i cili ka thënë se gjendet në një trajnim jashtë shtetit.
“Me ftesë të Këshillit të Evropës unë jam duke marrë pjesë në një trajnim lidhur me krimin kibernetik jashtë vendit, prandaj e kam njoftuar KGjK-në se nuk do të marr pjesë në intervistë”, tha Çoçaj.
Kurse, Agron Hoxha, Atdhe Berisha dhe Shpresa Emra janë kandidatët të cilët janë intervistuar sot nga komisionit vlerësues i KGjK-së.
I përfshirë në këtë garë ka qenë edhe gjykatësi Shaban Shala, mirëpo pas shqyrtimit të aplikacioneve ai nuk ishte ftuar për intervistë.
Gjykata e Prizrenit që nga qershori i vitit 2020 ka funksionuar pa kryetar. Si ushtrues detyre gjatë kësaj kohe ka qenë Artan Sejrani.
Më 23 qershor 2020, pas pensionit të Ymer Hoxhës, i cili ka mbajtur katër mandate (16 vite) në këtë gjykatë, Sejrani ishte caktuar si ushtrues detyre i kryetarit.
Artan Sejrani bëhet ushtrues detyre i Kryetarit të Gjykatës së Prizrenit
Pas kësaj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 27 janar 2021 kishte shpallur konkurs për pozitën e të parit të Gjykatës, ku kishin garuar vetëm dy kandidatë.
Në garë për kryetar ishin Agron Hoxha dhe Artan Sejrani, mirëpo ky i fundit në ditën e intervistimit për arsye personale ishte tërhequr.
Edhe pse i vetëm në garë, Agron Hoxha nuk arriti t’i merrte votat e mjaftueshme nga anëtarët e KGjK-së për t’u emëruar kryetar.
Pas dështimit të procesit të zgjedhjes së kryetarit të Gjykatës së Prizrenit, KGjK-ja në mbledhjen e mbajtur më 7 tetor 2021 vendosi ta rishpallte konkursin.