Një person duke u testuar për COVID-19 në Prishtinë - Foto: REL/AFP

Pejë - Një pacient i dyshuar për COVID-19 dërgohet në Prishtinë, gjendja e tij kishte filluar të përkeqësohej

Një pacient i cili po mjekohej në Spitalin Rajonal në Pejë po dyshohet se ka coronavirus, por tash e tre ditë nuk e ka marrë rezultatin edhe pse testin për COVID-19 e ka bërë.

I njëjti person është transferuar në Klinikën Infektive në Prishtinë pasi që gjendja e tij është përkeqësuar.

Përveç se dyshohet se është i infektuar nga COVID-19, personi në fjalë pas rentgenit që i është bërë në Spitalin e Pejës ka rezultuar se ka infeksion të mushkërive.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, infektologu në Pejë, Zenel Shatri.

Ai tha se personi në fjalë është pranuar para disa ditësh në Spitalin e Pejës, kur e kanë pranuar gjatë kujdestarisë gjendja e tij nuk ka qenë e rëndë.

Shatri tha se mjekët kujdestar ia kanë bërë rëntgenin e mushkërive dhe i ka dalë mirë, por gjendja e tij kishte filluar të përkeqsohej.

Infektologu tha se dje në mëngjese i kanë dhënë oksigjeno-terapi si dhe i kanë bërë prapë fotografim të mushkërive ku rezultoi se kishte infeksion.

“Kur ka ardh (pacienti në spital) është pranu në emergjencë gjatë kujdestari. I kanë bërë një fotografim të mushkrisë dhe fotografia e mushkrisë ka qenë pa veçori patologjike do të thotë nuk ka pas asgjë në mushkri. Në pranim zakonisht bëhet pasqyra e gjakut, oksigjenimi dhe i bëhet një fotografim i mushkrive. Fotografia (rentgeni) ka qenë negative nuk ka pas asgjë mushkri ka qenë mirë. Kemi shku në mëngjesë (me vizitu) gjendja e tij ka qenë mjaft mirë, por gradualisht fillon të përkeqësohet por jo në mënyrë drastike, filloj të kollitej më shumë. Dje në mëngjesë ka qenë më keq, dhe i dhashë pak oksigjen gjendja kohë pas kohe ishte e mirë. Sot pasi e morëm analizat e dërguam për me ia bo edhe një fotografim të mushkërive, fotografia rezultojë se ka infeksion të mushkërive. Kohë pas kohe i kemi dhënë edhe oksigjeno – terapi”, tregoi Infektologu.

Mjekët së bashku me familjarët e pacientit u dakorduan që ta dërgojnë në Klinikën Infektive në Prishtinë.

“Familjarët e tij kanë pyet se çka me bo me të, dhe janë dakorduar që ta dërgojnë në Prishtinë, e kanë siguruar një vend në Prishtinë”, tregon tutje Shatri.

Ndërsa, Infektologu thotë se ende nuk e kanë rezultatin nëse personi në fjalë është i infektuar me coronavirus apo jo.

“Rezultati nuk na ka ardhur ende”, u shpreh ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe drejtorin e Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, për të pyetur nëse kanë ndonjë informacion për rezultatin e personit në fjalë por edhe drejtori thotë se nuk ka dalë rezultati.

Madje ai thotë se këtë problem e kanë tash e disa kohë, dhe se kjo gjendje po krijon panik tek pacienti.

“Jo nuk ka dalë rezultati ende prej Institutit e kemi këtë problem tash e disa kohë, që nuk po dalin rezultatet ditën që po merren as në ditën pasuese po ndodh tri deri në katër ditë po vonohen rezultatet, dhe po krijon panik edhe tek pacienti edhe tek opinioni”, tha drejtori.

Në komunë e Pejës deri më tani janë 55 persona aktiv me coronavirus, ku 20 prej tyre janë të hospitalizuar.

Në nivel vendi infeksioni me pandemin COVID-19 ka kaluar mbi 3 mijë.

3064 persona deri më tani janë infektuar me coronavirus në Kosovë, 1707 prej tyre janë shëruar dhe 55 të tjerë kanë vdekur.