Pejë, aktakuzë ndaj të dyshuarit për vrasjen e nënës së tij

Prokuroria e Pejës ka ngritur sot aktakuzë ndaj Urim Hysenit, i cili dyshohet për vrasjen e nënës së tij më 14 prill të këtij viti.

Aktakuza është ngritur për veprën penale – vrasje e rëndë.

“Sipas aktakuzë, i pandehuri U.H, me datë 14 prill të vitit 2023, në qytetin e Pejë, ka privuar nga jeta, nënën e tij, viktimën H.H., me dyshimin e bazuar mirë se ditën kritike në rrethana të përgjegjësisë se zvogëluar mendore në shkallë esenciale, viktimës i ka shkaktuar mbi 20 plagë në pjesë të ndryshme të trupit, duke e privuar të ndjerën nga jeta” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i rastit, sipas këtij njoftimi, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Dosja hetimore të cilën e kishte siguruar KALLXO.com tregonte se Urim Hyseni në seancën para gjyqtarit të procedurës paraprake për caktimin e masës së sigurisë nuk kishte qenë në gjendje as të jepte të dhënat e tij personale ashtu siç parashihet në procedurë.

Në këtë seancë i pranishëm ka qenë edhe një ekspert psikiatrik, Nysret Pepaj, i cili kishte konstatuar se ai ka çrregullim psikotik.