PDK sot e dërgon në Kuvend nismën për hartimin e projektligjit për pensionet e zyrtarëve policorë

Partia Demokratike e Kosovës ka ndërmarrë nismën për hartimin e projektligjit për pensionet e zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore.

Deputetja e grupit parlamentar të PDK-së, Ganimete Musliu, tha se krahas draftit e kanë përgatitur memorandumin shpjegues dhe kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme që sot zyrtarisht ta procedojnë në Kuvendin e Kosovës këtë iniciativë.

“Sot jemi këtu ta prezantojmë këtë nismë ligjore dhe të marrim hapa konkret pasi e kemi pa që qeveria nuk e ka në planin legjislativ këtë nismë”, tha Musliu.

Sipas Musliut, Policia e Kosovës është policia më e re në Evropë, ndërkaq, sipas saj mosha mesatare e tyre nuk është e re dhe mosha mesatare sipas Musliut sillet rreth 47 vjet.

“Është e domosdoshme të bëhet hartimi i këtij ligji”, shtoi Musliu.

“Ky ligj përcakton njohjen e së drejtës në pension për zyrtarët policor të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore, familjarët e tyre si dhe kriteret dhe të drejtat e tyre për pensionim. Ky ligj rregullon dhe përcakton kushtet për kriteret për garantimin e pensioneve, llojet e pensioneve si dhe përcakton kategorizimin e pensioneve për pension”, tha Musliu.

Edhe deputeti i PDK-së Rashit Qalaj, tha se është shumë e nevojshme që sa më shpejt ky ligj të vijë në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të jetë polici dinamike dhe më efikase.

“Këto mund të bëhen nëse përtërihet organizata”, tha Qalaj

Qalaj, tha se pret që ky projektligj të përkrahet nga subjektet e tjera.

“Jam i sigurt që do të hasim në përkrahje të grupeve parlamentare. Ky projektligj duhet të përkrahet dhe besoj që do të përkrahet nga gjitha subjektet”, tha ai.

Ndërkaq deputetja Musliu shtoi se PDK e ka bërë deklaratën financiare. Sipas saj ky ligj ka kosto buxhetore dhe gjatë hartimit do të bëhet e ditur kosto financiare.

Kjo nismë sipas Musliut është bazuar në Kushtetutë, në ligjin për nisma legjislative dhe në rregulloren e  Kuvendit të Kosovës.