Foto: PDK-Skenderaj

PDK në Skenderaj dënon ashpër shkarkimin e komandantit të stacionit policor, Basri Durmishi

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Skenderaj, përmes një reagimi ka dënuar ashpër shkarkimin e komandantit të Stacionit Policor në Skenderaj, Basri Durmishi.

KALLXO.com ka raportuar më 28 gusht se Durmishi është liruar nga detyra me vendim të drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Për këtë dega e PDK-së e ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sepse sipas tyre, po përpiqen që përmes ndërhyrjes politike në strukturën komanduese të krijojnë, siç thonë ata, “Junten” policore për të nënshtruar vullnetin dhe bindjen e lirë qytetare në prag të zgjedhjeve lokale.

“Një akt i tillë përveç së është i kundërligjshëm është veprim direkt politik dhe atak ndaj paanësisë dhe objektivitetit të institucionit ligj zbatues të cilin e ka personifikuar në mënyrën më të mirë z.Durmishi… PDK dega në Skenderaj u bën thirrje zyrtarëve policorë për kujdes dhe maturi në veprime ndaj urdhrave politikë që do i marrin, ndërsa i ftojmë qytetarët për durim dhe qetësi”, thuhet mes tjerash në reagimin e degës së PDK-së.

KALLXO.com ka raportuar të martën se një tubim i PDK-së në fshatin Kllodernicë të Skenderajt, i udhëhequr nga Sami Lushtaku është gjobitur nga Policia e Skenderajt. Organizatori, sipas Policisë, është një person me inicialet M.H. dhe jo Sami Lushtaku.

Shkak i gjobës me 200 euro ishte mosrespektimi i masave kundër COVID-19.