Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Fadil Nura i kërkon drejtorit të Policisë që ta rikthejnë komandantin e policisë

Partia Demokratike e Kosovës me të fituar zgjedhjet lokale për Komunën e Skenderajt, ka nisur risistemin e njerëzve me të cilët ka punuar apo bashkëpunuar deri në vitin 2017, përkatësisht zyrtarët që u larguan në kohën e qeverisjes e Bekim Jasharit.

Kryetari Fadil Nura i ka dërguar një shkresë zyrtare Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, përmes të cilës i kërkohet rikthimi i togerit Basri Durmishit në krye të stacionit policor në këtë komunë.

“Me qëllim të informimit të drejtë, në bazë të autorizimeve ligjore dhe përgjegjësive si Kryetar i Komunës së Skenderajt, dje me datë 07.12.2021, i kam dërguar një shkresë zyrtare Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z.Samedin Mehmeti, ku kam kërkuar shfuqizimin e vendimit për caktimin e u.d. së komandantit të Stacionit Policor në Skenderaj, dhe rrjedhimisht kthimin e togerit Basri Durmishi në krye të institucionit të sigurisë”, ka shkruar Nura në rrjetin social “Facebook”, të mërkurën.

I pari i Skenderajt e ka konsideruar hap të nevojshëm e të arsyeshëm, “duke marrë për bazë profesionalizmin, bashkëpunimin institucional dhe përkushtimin” e Durmishit sa ka qenë në krye të Stacionit Policor në Skenderaj.

KALLXO.com ka raportuar më 28 gusht 2021 se komandanti i Stacionit të Policisë në Skenderaj, Basri Durmishi është larguar nga detyra e tij.

Vendimin për ta liruar nga detyra e ka marrë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti. Për këtë pozitë u emërua Muhamet Kajtazi.

Por, PDK në Skenderaj kishte reaguar fuqishëm ndaj këtij vendimi ndonëse atëkohë ende nuk ishin në pushtet.

Më poshtë gjeni shkresën me disa aryestime të renditura nga kreu i Skenderajt, Fadil Nura drejtuar drejtorit të forcave të rendit.