Gjobitet tubimi i Sami Lushtakut

Tubimi i djeshëm në fshatin Kllodernicë të Skenderajt, i udhëhequr nga kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtaku është gjobitur me 200 euro.

Policia e rajonit të Mitrovicës në një përgjigje për KALLXO.com ka deklaruar se është gjobitur organizatori i tubimit.

Organizatori i këtij tubimi në të cilën u panë duke thyer masat kundër COVID-19 është një person me inicialet M.H., por jo Sami Lushtaku, për të cilin ishin mbledhur ata persona.

“Ju njoftojmë se Stacioni Policor në Skenderaj ka shqiptuar gjobë në shumën prej 200 euro organizatorit të tubimit të djeshëm të mbajtur në fshatin Kllodërnicë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Ilmi Prekazi.

KALLXO.com kishte raportuar mbrëmë se Sami Lushtaku ka sfiduar masat e Qeverisë të vendosura kundër pandemisë COVID-19.

Në fotografitë e publikuara nga Lushtaku shihej se personat e mbledhur nuk kanë vendosur maskën dhe nuk janë siguruar të mbajnë distancë prej 1.5 metra.

Sipas vendimit të qeverisë, në ambiente të jashtme lejohen grumbullimet deri në 50 persona, por duhet të sigurohet distanca prej 1.5 metra në mes të personave.

Në vendim sqarohet se lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore në ambiente të jashtme deri në 50 persona (publiku). Organizatori obligohet të sigurojë mbajtjen e distancës fizike prej 1.5 metër në mes të personave.

Sami Lushtaku ka mbajtur tubim edhe të dielen në Prekaz të Skenderajt duke mbledhur qindra simpatizant të PDK-së.

Por Policia e Kosovës nuk e ka ndëshkuar atë për këtë tubim me arsyetimin se nuk kanë vlejtur masat e reja të cilat kanë hyrë dje.

Policia e rajonit të Mitrovicës kanë deklaruar se forcat e rendit kishin dalë në vendin e ngjarjes, por që në ato momente nuk po mbahej tubimi.

Në bazë të raportit policor me datën 30 gusht janë shqiptuar gjithsej 2 mijë e 479 tiketa për qytetarët që nuk kanë respektuar masat anti COVID.

Lushtaku ishte kandidat i PDK-së për kryetar të Skenderajt, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia ka pamundësuar atij kandidimin për kryetar të Skenderajt për shkak të dy dënimeve të formës së prerë në periudhën brenda 3 viteve të fundit