Foto: ZKM

PDK i quan skandaloze deklaratat e këshilltarit të Albin Kurtit për UÇK-në

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të Shkëlzen Gashit, këshilltarit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit në lidhje me UÇK-në.

“Pikërisht në ditën kur Albin Kurti promovoi Shkelzen Gashin, duke i dhënë mbështetje në konferencë të përbashkët për media, Gashi deklaroi se UÇK ka kryer krime”, thuhet në një komunikatë për media.

“Qëndrimet e Gashit shpërfaqin mendësinë e turpshme antishqiptare e antikombëtare  të shefit të tij dhe subjektit politik, Lëvizja Vetëvendosje, se kushdo që ka luftuar për liri dhe që ka bartur emblemën e UÇK-së në krah është vrasës, kriminel dhe duhet të dënohet”, ka thënë PDK.

“Pa fije turpi, ai nuk përmendi as një krim të Serbisë të kryer ndaj Kosovës, të vrasjes së civilëve shqiptarë dhe për fatin e mbi 1600 personave që rezultojnë të zhdukur. Ai zgjodhi të rreshtohej kundër popullit të vet dhe jo kundër Serbisë, e cila kurrë nuk kërkoi falje dhe nuk dha llogari për krimet në Kosovë”, thuhet më tej në reagimin e PDK-së.

Sipas PDK-së, edhe përmendja e raportit të Dick Martyt për udhëheqësit e UÇK-së  është e pa pranueshme.

“Jo vetëm kaq, këshilltari i Kryeministrit e glorifikoi figurën e Dick Martyt dhe raportit të tij kundër UÇK-së për kinse vrasje të civilëve, të një njeriu i cili ishte kundër pavarësisë së Kosovës dhe raportin e tij e kishte hartuar me udhëzimet e shteteve armike të Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë PDK.

“Sot u dëshmua se Kryeministri i shkarkuar Kurti dhe të gjithë njerëzit e këshilltarët e tij mendojnë sikurse Dick Marty dhe Serbia – se shqiptarët kanë kryer krime, se UÇK-ja nuk ka luftuar për liri dhe se Kosova duhet të kthehet nën Serbi”, thuhet më tej.

PDK ka përmendur edhe pranimin e testeve për COVID-19 nga Serbia.

“Kjo deklaratë poshtëruese ndaj UÇK-së e bashkëpunëtorit të Kurtit vjen pas pranimit të turpshëm të 1000 testeve lëmoshë nga Serbia që edhe sot u përmendën në Këshillin e Sigurimit, pasi zëvendësi i tij Haki Abazi shpalli për herë të parë ndarjen e veriut dhe pasi Ministri i tij Vitia dha lejen për hyrjen dhe veprimin në Kosovë të qindëra zyrtarëve shtetërorë të Beogradit”, thuhet në reagimin e partisë opozitare.

PDK në fund ka kërkuar nga çdo qytetar i Kosovës, çdo parti politike, çdo organizatë dhe veçmas nga anëtarë të ndërgjegjshëm të Lëvizjes Vetëvendosje që ta dënojnë dhe të distancohen nga “kjo mendësi që hapur dhe nën petkun shtetëror kërkon të dënohen ushtarët e UÇK-së dhe populli i Kosovës”.

“Kjo mendësi sot ka fyer rëndë dëshmorët, invalidët e luftës, familjet e tyre dhe veteranët e luftës çlirimtare”, përfundon reagimi.