Foto: Facebook/ Shkëlzen Gashi

Nënkryetari i Mitrovicës flet rreth mungesës së emrit të romes 5-vjeçare në pllakën përkujtimore të masakrës në treg

Më 13 mars 2020, në Tregun e Gjelbër të Mitrovicës është ngritur një pllakë përkujtimore në kujtim të viktimave dhe të plagosurve të një sulmi me një granatë që dyshohet se është kryer nga forcat serbe plot 21 vite më parë.

7 persona, përfshirë burra, gra e një fëmijë, ishin vrarë e 128 janë plagosur në këtë masakër në mes të tregut.

Mirëpo, në pllakë janë gdhendur emrat e gjashtë të vrarëve – të gjithë shqiptarë, por jo edhe i një vogëlusheje të komunitetit rom.

Mungesa e emrit të Elizabeta Hasanit, 5-vjeçe, ka ngjallur reagimin e aktivistit të shoqërisë civile, Shkëlzen Gashi.

“Në pllakën përkujtimore të ngritur nga Komuna e Mitrovicës në qendër të qytetit, figurojnë vetëm emrat e GJASHTË shqiptarëve të vrarë. Nuk figuron romja pesëvjeçare ELIZABETA HASANI. Edhe në Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kur prezentohet kjo masakër, figurojnë vetëm GJASHTË shqiptarët e vrarë”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Lidhur me këtë, KALLXO.com ka kontaktuar me nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka.

Mujka ka sqaruar se emrat e vendosur në pllakë i kanë marrë nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut dhe Zyra për Mirëqenie Sociale.

Nënkryetari i Komunës shton se të njëjtët emra kanë qenë të vendosur edhe në një pllakë që ishte vendosur aty që 20 vjet.

“Ne kemi marrë emrat prej Komitetit për të Drejtat e Njeriut, Zyrës për Mirëqenie Sociale. Ajo pllakë është ngritur në mars por një pllakë e tillë ka qenë aty që 20 vjet, kanë qenë emrat e njëjtë që 20 vjet aty. Ne do të pyesim pse mungon ai emër sepse unë e pashë që edhe në Akademi të Shkencave janë vetëm gjashtë emra”, tha Mujka.

Po ashtu, nënkryetari i Komunës së Mitrovicës ka thënë se komuna kishte bërë ftesë publike edhe përmes web-faqes së Komunës për të gjithë qytetarët dhe familjarët që të dërgohen në Komunë emrat e të plagosurve, të vrarëve, që të përfshihen në këtë pllakë.

“ Nuk është në rregull me u përdorë viktimat për me bo emër… Me para një viti kemi bërë ftesë publike për familjarët por edhe nëpërmjet faqes së Komunës, se ndoshta edhe nuk i dimë të gjitha, ka qenë luftë, ka pasur mungesë dokumentesh, ka pasur edhe njerëz që kanë qenë në lista por nuk ka dashur me ju qit emri në pllakë, kemi kërkuar të sillen emrat e të gjithëve”, theksoi Faruk Mujka.

Mujka ka shprehur gatishmërinë që të shtohet edhe emri i pesëvjeçares Elizabeta Hasani në pllakë.

“Unë për gjithë këto vite që jam në politikë kurrë më i prekur se kjo nuk jam ndier, unë jam i gatshëm me shtu atë emër, por duhet me pasë ndonjë dokument a diçka, sepse nuk jam unë ai që vendos kush me u shkrua aty apo jo… Unë kam kërkuar në mënyrë publike por edhe përmes web-faqes prej të gjithëve në Mitrovicë që ka dikush që nuk e gjen veten në listë me ardh dhe me tregu, por ka mjaftuar që dikush të vijë dhe të thotë si komunë keni bërë një lëshim, a jeni të vetëdijshëm apo jo, nëse jeni të vetëdijshëm dhe s’keni dashtë atëherë me të vërtetë jeni racistë dhe paragjykues por jo kështu. Kjo për mua është puro egocentrizëm dhe përfitim mbi emrin e viktimave“, tha në fund Mujka.

Por Shkëlzen Gashi e vlerëson deklaratën e Mujkës si “prepotente” dhe “frikësuese” ndaj qytetarëve ndërsa kërkon nga komuna që sa më shpejt që të jetë e mundur ta përfshijë emrin e Elizabeta Hysenit në pllakën përkujtimore.

“Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës duhet t’u premtojë qytetarëve të Mitrovicës e të Kosovës se sa më parë që të jetë e mundshme do ta fusë emrin e Elizabeta Hasanit në pllakën përkujtimore për viktimat e Masakrës së Tregut në Mitrovicë (13 mars 1999), e jo të na mbajë leksione se si duhet të sillemi ne, qytetarët e Kosovës, me pushtetarët komunalë. Qasja e tij se nëse keni vërejtje për pushtetin komunal, duhet të vini në komunë e t’na i thoni ato, e jo t’i thoni publikisht sepse atëherë jeni egocentrikë dhe këtë e bëni për famë, është qasje prepotente, që e intimidon lirinë e shprehjes së qytetarëve, e për rrjedhojë është totalisht e papranueshme”, tha Shkëlzen Gashi në reagimin e tij.

 

Shënim: Artikulli është përditësuar më 02 gusht 2020, në ora 19:52, për ta përfshirë reagimin e Shkëlzen Gashit ndaj deklaratës së Faruk Mujkës.