Promovimi i librit ‘Të damkosurit e Ballkanit’. Foto Isa Vatovci

Publikohet hulumtimi ‘Të damkosurit e Ballkanit’ i Shkëlzen Gashit

Organizata ARMOVERE ka publikuar sot hulumtimin “Të damkosurit e Ballkanit” të Shkëlzen Gashit, i cili evidenton keqprezantimin e shqiptarëve në përgjithësi, atyre në ish-Jugosllavisë, me theks të veçantë të Kosovës në projektin ‘Projekti i historisë se përbashkët’ (Joint History Project) të hartuar nga “Qendra për demokraci dhe pajtim në Evropën Juglindore” (CDRSEE)  në Selanik të Greqisë.

Autori i këtij hulumtimi Shkëlzen Gashi ka thënë se vetë titulli i këtij hulumtimi “Të damkosurit e Ballkanit” pasqyron më së miri keqprezantimin e shqiptarëve në këtë projekt.

“Shqiptarët në tri tekstet e para që është ‘Perandoria Osmane’, ‘Kombet dhe shtetet e Evropës Juglindore’ dhe “Luftërat Ballkanike’ prezantohet në mënyrë shumë të keqe, faktikisht damkosen. E njëjta ndodh edhe në tre librat e tjerë. Më e keqja se mungon paraqitja e kryengritjeve shqiptare kundër Perandorisë Osmane. Përkundër se popujt e tjerë prezantohen mjaft mirë në këtë projekt shqiptarë prezantohen në mënyrën më të keqe”, ka thënë Gashi.

Gashi i cili në pika të shkurtra ka prezantuar gjetjet në gjashtë vëllimet e projektit të CDRSEE, ka thënë se shqiptarët e Kosovës janë prezantuar keq  në krahasim me popujt e tjerë edhe në ilustrime. Ai ka thënë se hulumtimi është fokusuar në mënyrën se si janë paraqitur shqiptarët në përgjithësi në tri vëllimet e para dhe në veçanti shqiptarët e ish-Jugosllavisë në veçanti në tri të fundit.

Autori Gashi u ka bërë thirrje institucioneve kosovare, qoftë atyre shtetërord e shkencore, që të shfrytëzojnë ndikimin e tyre për të plotësuar botimin me të dhëna të nevojshme dhe duke hequr të dhënat e pastaj shtrembërimet dhe etiketimet për shqiptarët.

“Kosovës nuk i kushton asgjë të angazhojnë historianë të huaj për të rishkruar, përmirësuar dhe hequr pjesët që duhet nga botimet e këtij projekti, të paktën në versionin elektronik”, ka thënë ndër të tjera Gashi.

Ndërsa drejtoresha ekzekutive e ADMOVERE, Aulona Memeti, ka thënë se gjatë një takimi që kanë pasur me ish- drejtorin e CDRSEE-së ishin pajtuar për organizimin e një konference në Prishtinë me gjithë historianët-redaktorët që kanë marrë pjesë në projektit e CDRSEE-së.

“Konferenca është dashur të organizohet këtë vit, në tetor, në Prishtinë, por për shkak të pandemisë së coronavirusit është anuluar”, ka thënë Memeti.

Ajo ka thënë se ky hulumtim u është dërguar të gjitha institucioneve shtetërore e shkencore në Kosovë dhe në Shqipëri.

Hulumtimi “Të damkosurit e Ballkanit” është mbashtetur nga Swiss Federal Department of Foreign Affairs dhe është botuar në tri gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht.

Këtë botim Gashi ia ka kushtuar ish-regjisorit Bekim Lumi.

Promovimi i librit ‘Të damkosurit e Ballkanit’. Foto Isa Vatovci