Arkiv - William Walker në vendin ku ka ndodhur masakra në Reçak - Foto: REL/Reuters

Historia ndryshe e treguar për Kosovën në 'Joint History Project' të CDRSEE-së

Botimi i projektit ‘Projekti i historisë se përbashkët’ (Joint History Project) të hartuar nga “Qendra për demokraci dhe pajtim në Evropën Juglindore” (CDRSEE)  në Selanik ka rindezur debate lidhur me prezantimin e Kosovës në këtë projekt.

Gjatë shtatorit, Shkëlzen Gashi ka filluar botimin e një seri shkrimesh të cilat sipas tij evidentojnë shtrembërimet faktike të historisë për Kosovën të prezantuara në (Projekti i historisë se përbashkët). Duke drejtuar edhe akuza në adresë të kontribuesve kosovarë në këtë projekt; Jusuf Bajraktarit, Fehmi Rexhepit dhe Frashër Demajt, me theks të veçantë ndaj këtij të fundit. 

Por, autori i disa njësive për Kosovën në projekt, Frashër Demaj i mohon akuzat e Gashit duke pohuar se autorët kosovarë kanë dërguar materiale të bollshme në adresë të redaksisë së projektit dhe vërejtjet e tyre për çështjet e ngritura nga Gashi.

Megjithatë publicisti Shkëlzen Gashi, prezantimin e Kosovës dhe të popullit shqiptar në “Projekti i historisë së përbashkët” e quan skandaloz. Pasi, sipas tij, ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare të Kosovës, përmenden sipërfaqësisht, ose nuk përmenden fare.

Ndërsa, edhe në ato raste kur përmenden ato prezantohen në mënyrë më të keqe të mundshme. Në një prononcim për Kallxo.com, Gashi ka thënë se në këtë projekt 6 vëllimësh historia e shqiptarëve është përmendur sipërfaqësisht dhe gati-gati pavërejtshëm.

Ndërsa, ka edhe konstatime fyese sikurse shkrimi për gratë shqiptare, ndërkohë që për gratë e popujve tjerë thuhet e kundërta. 

Sipas Gashit, nuk prezantohen të dhëna për masakrat e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike 1911-1912. Hiç më mirë Kosova nuk prezantohet as gjatë – e mes dy luftërave botërore, periudha e Luftës së II-të botërore dhe vitet nën Jugosllavinë e Titos.

Por, më ndryshe nuk duket të jetë as në vëllimin ku flitet për vitet e ’90-ta dhe luftën e UÇK-së, në vëllimin “Luftërat, ndasitë dhe integrimi (1990-2008)”.

Sipas Gashit, represioni serb ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’90, paraqitet krejt sipërfaqësisht, duke u fokusuar vetëm te dëbimet e shqiptarëve prej vendeve të tyre të punës.

 “Jo vetëm që nuk përmendet askund se krimet e forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë i nxitën përleshjet e armatosura, por thuhet madje se ishin sulmet e UÇK-së ato që sollën emigrimin e popullsisë serbe, çka mandej rezultoi me përforcime të forcave serbe në Kosovë, e se më pas filluan të vepronin edhe njësi paraushtarake serbe dhe prandaj popullata shqiptare u arratis ose u dëbua në masë. Thuhet edhe se bombardimi i RFJ-së nga NATO-ja u ndërmor meqë pretendohej (pra, pretendohej) se forcat e sigurisë serbe po kryenin spastrim etnik të shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë Gashi.

E vetmja masakër e kryer nga forcat serbe ndaj shqiptarëve që prezantohet është ajo e Reçakut, dhe sipas Gashit madje edhe kjo e prezantuar me shumë të meta.

“E vetmja masakër që prezantohet është ajo e Reçakut, madje edhe kjo e cilësuar si kontraverse. Sa u takon deportimeve, lexojmë se besohet (pra, besohet) që mbi 80% e tërë popullsisë kosovare u dëbua nga Kosova gjatë bombardimeve të NATO-s, por nuk mësojmë se kush i dëbonte refugjatët gjatë luftës. Citohen shifra për të vrarët, por as këtu nuk thuhet se cilat ishin formacionet që i kryenin këto vrasje”, është shprehur ai.

Sipas tij, në mënyrë skandaloze bëhet prezentimi i dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së Kosovës. “Jepen hollësisht dëmet materiale të shkaktuara prej sulmeve të NATO-s, por absolutisht asgjë për dëmet materiale të shkaktuara prej forcave serbe”, ka pohuar Gashi. Kurse krejt telegrafisht përmendet se në shkurt të vitit 2008 Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia dhe askund në gjithë vëllimin nuk jepet gjë lidhur me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, flamurin apo elementet tjera të shtetësisë së Kosovës.

Por, pretendimet e Gashit po kundërshtohen nga akademik Frashër Demaj. Sipas tij, ai dhe kolegët e tij mbajnë përgjegjësi vetëm për materiale që i kanë ofruar redaksisë së projektit, të cilat sipas tij janë të dhëna dokumentare. Demaj ka thënë se përfaqësuesit nga Kosova në këtë projekt kanë dërguar materiale të bollshme dhe vërejtje e tyre për projektin, por redaksia e projekti nuk i ka marrë parasysh ato.

Demaj ka thënë për Kallxo.com se 6 vëllimet e projektit “Projekti i Historisë së Përbashkët” janë burime alternative të botuara nga një organizatë ku kanë marrë pjesë studiues nga të gjitha popujt e vendet e Ballkanit dhe Qiproja. Ai ka thënë se Kosova deri në 2007 nuk ka qenë pjesë e këtij projekti, por i është bashkuar pas 2008-ës.

Sipas tij, studiuesit kosovarë kanë pranuar të jenë pjesë e projektit dhe ideja është që për ngjarjet e njëjta të ketë këndvështrime të ndryshme.

“Këto këndvështrime mund të jenë autoriale ose mund të jenë dokumentare. Dhe, ka pohuar Demaj ne në këto vëllime e fundit për arsye të problematikave të brendshme jemi përcaktuar që qasja të jetë dokumentare, pra pamja të jetë dokumentare. Po e thjeshtëzoj edhe më shumë, ky  zotëria më ka akuzuar se masakra e Reçakut nuk paraqitet si duhet. Por, ky i ka lexuar burimet serbe, pra çka kanë thënë gazetat në kohën kur është bërë masakra e Reçakut, dhe çka kanë thanë gazetat serbe nuk mund t ‘i ndryshojë asnjeri. Ato  janë dokumente të arkivuara dhe historiografia serbe thirret në ato dokumente. Për të njëjtën ngjarje ka një të vërtet nga perspektiva shqiptare që masakrën, që ngjarjen e vlerëson si masakër të forcave të militarizuar serbe, ushtrisë dhe policisë serbe ndaj civilëve shqiptarë, pleq gra e fëmijë”, ka thënë Demaj.

Në këtë linjë shton ai, në dokumente që gjendet në arkivat shqiptare, flasin edhe arkivat ndërkombëtare sepse, siç ka thënë ai, edhe ato e vlerësojnë masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit, si masakër të bërë nga ushtria dhe policia serbe ndaj shqiptarëve.

“Tashti unë nuk kam punë me vijën serbe, e para, këtu, e dyta në botimet e përbashkëta që shumë njerëz nuk e din, nuk mundesh t`i nëse nuk je anëtar i redaksisë me shfaq vërejtjet tua drejtpërsëdrejti, të gjitha vërejtjet që i kemi pasur, sepse kemi pasur shumë materiale, kemi dërguar shumë materiale për Reçakun dhe për masakra tjera, redaksia nuk na i ka marrë parasysh, pasi ka menduar se i ilustron vetëm me masakrën e Reçakut. Ne i kemi ofruar fakte, kishim dashur të përfshiheshin më shumë, por fuqia e Kosova është kaq”, ka pohuar ai.

Sipas Demaj, “Projekti i Historisë së Përbashkët”  është një burim alternativ e assesi një histori, teksti shkollor.

Kallxo.com i ka kërkuar dërguar pyetje edhe redaktores së botimit Kristna Kolurit (Christina Koulouri), lidhur me pretendimet e ngritura nga Demaj se vërejtjet e autorëve kosovarë nuk janë marrë parasysh nga redaksia e projektit, por nuk ka marrë përgjigje, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme.

Demaj e as dy historianët tjerë Jusuf Bajraktari e Fehmi Rexhepi ende nuk kanë prezantuar dëshmi faktike të reagimit të tyre dërguar në adresë të redaksisë së projekti. Në një deklaratë të lëshuar dje vonë për opinion tre anëtarët e grupit punuese nga Kosova, Demaj, Bajraktari e Rexhepi, theksojnë se pavarësisht pamundësisë së ndikimit (meqë asnjëri nga ta nuk ishte anëtar i redaksisë) kanë shfaqur indinjatën e tyre lidhur me tema të caktuara të cilat fyejnë popullin shqiptar.

“Grupi punues pas botimit të edicionit ka reaguar dhe ka shfaqur pakënaqësi lidhur me numrin e vogël të teksteve dhe burimeve të botuara për ngjarje të rëndësishme nga historia e Kosovës si dhe për mënyrën jo korrekte të përfshirjes së teksteve dhe faktografisë. Redaksia e edicionit ka premtuar që me rastin e ribotimit do të ketë parasysh vërejtjet dhe kërkesat e grupit punues të Kosovës. Vërejtjet e ditëve të fundit që na atribuohen pa të drejtë për Masakren e Reçakut janë të pa qëndrueshme dhe spekulative sepse në burimet tona të botuara ngjarja quhet me emrin e vërtetë “Masakër në Reçak”, thuhet ndër të tjerash në deklaratën e tre historianëve kosovarë që kontribuuan në projektin Projekti i historisë së përbashkët”.

Projekti 6 vëllimshëm “Projekti i historisë së përbashkët” është botuar nga “Qendra për demokraci dhe pajtim në Evropën Juglindore” (CDRSEE) në Selanik të Greqisë. Botimi është mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.

Për hartimin e këtij projekti ishin angazhuar historian nga vendet ballkanike. Përveç gjuhës angleze vëllimet e këtij projekti janë botuar në gjuhët e popujve të Ballkanit dhe në japonisht.

Që nga bërja publike e vëllimeve të këtij botimi janë bërë vërejte të shumta për prezantim jo të duhur të dhe me shumë mangësi e pasaktësi të historisë së shqiptarëve dhe veçanërisht të prezantimit të Kosovës.