Ilustrimi: Jetë Dobranja për Kallxo.com

Shoqëria civile po hulumton edhe dy raste të diskriminimit të komuniteteve joshumicë të vrarë gjatë luftës në Kosovë

Dy raste të diskriminimit të komuniteteve jo shumicë të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë janë duke u hulumtuar nga organizata e shoqërisë civile “Admovere”.

Shkëlzen Gashi për KALLXO.com tha se janë duke i hulumtuar dy raste të diskriminimit të komuniteteve të vrarë gjatë luftës në Kosovë dhe  sipas tij ndërkohë mund të dalin edhe raste të tjera.

“Ne si organizatë, bashkë edhe me organizata të tjera joqeveritare, por edhe segmente të tjera të shoqërisë civile, siç janë mediat, do të bëjmë presion te organet përgjegjëse që në pllaka përkujtimore dhe në varrezat e viktimave civile të përfshihen edhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera, me theks të veçantë të komunitetit rom, ashkali e egjiptian” tha Gashi.

Gashi tha se që nga qershori i këtij viti kanë filluar një projekt që synon të dokumentojë masakrat e luftës në Kosovë 1998-2000.

“Ideja është që ta kenë një libër që i përmbledh të gjitha masakrat në mënyrë objektive, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare, gjuhësore, politike, krahinore a gjinore e të masakruarve” tha Gashi

Ai tha se dy dekada pas përfundimit të luftës, ky projekt i implementuar nga organizata “Admovere”, e i mbështetur më herët nga CHwB (Cultural Heritage Without Borders) dhe tash nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, synon të jetë burim i besueshëm i informimit për masakrat gjatë kësaj periudhe, i shkruar objektivisht e pa gjuhë të urrejtjes.

“Përveç rastit të Elizabeta Hasanit kemi gjetur edhe disa raste të tjera, të cilat jemi duke i hulumtuar” tha ai.

Sipas Gashit ky anshkalim dhe diskriminim i komuniteteve po vazhdon edhe 21 vite pas luftës për shkak se shoqëria kosovare në masë të madhe i sheh pjesëtarët e komuniteteve etnike si qytetarë të dorës së tretë.

“Shoqëria kosovare, në masë të madhe i sheh pjesëtarët e komuniteteve etnike në Kosovë, me theks të veçantë të komunitetit rom, ashkali e egjiptian, si qytetarë jo të dorës së dytë, por të dorës së tretë. Gjendja e këtij komuniteti do të ishte edhe më e rëndë sikur të mos ishte prezenca e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë përmes ndihmave të ndryshme” tha Gashi.

Sipas tij, reagimet e aktivistëve të shoqërisë civile, gazetarëve, publicistëve e intelektualëve në lidhje me rastin e Elizabeta Hasanit e kanë befasuar për të mirë dhe sipas tij po të mos ishin këto reagime vështirë  se Komuna e Mitrovicës do ta fuste emrin e Elizabeta Haanit në pllakën përkujtimore.

Deputeti i Kuvendit të Koosvës, Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane në senacën e Kuvendit të mbajtur me 7 gusht për mes një deklaratë  bëri publike  diskriminim e tre pjesëtarëve të komunitetit egjiptianë në masakrën e fshatit Poterq të komunës së Klinës gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Në të njëjtën kohë dua ta bëjë publike një ngjarje që është përafërsisht e ngjashme, për maskakrën e fshatit Poterq në komunën e Klinës, ku tre pjesëtarë të komunitetit egjiptianë janë martirë të kësaj masakre. Demë Lani i cili u vra se nuk e heku plisin e bardhë, Imer Çuni dhe djali i tij Metë Çuni janë të vrarë po me këtë datë në fshatin Poterq komuna  e Klinës.”

Ai tha se të njëjtit pas përfundimit të luftës, nuk u rivarrosën si të gjithë të tjerët për t’u varrosur në hapësirat e martirëve.

“Janë gjithë ata martirë u rivarrosën dhe u varrosën në hapësirat e martirëve, ndërsa nga këta që unë i citova, nuk janë pjesë e varrezës së martirëve dhe janë të varrosur në varrezat e të vdekurve normal” kishte thënë Berisha.

Më 13 mars 2020  komuna e Mitrovicës kishte zbuluar pllakën përkujtimore në Tregun e Gjelbër të Mitrovicës për viktimat që pësuan pas shpërthimit në treg në vitin 1999.

Si pasojë  e këti shpërthimi kishin vdekur  shtatë persona dhe ishin plagosur 128 të tjerë.

Në këtë pllakë ishin mbishkruar gjashtë emrat e gjashtë shqiptarëve të vrarë por jo edhe emri i 5-vjeçares Elizabeta Hasani, nga komuniteti romë.

Nga komuna kishin deklaruar se ky lëshim ka ndodhur për shkak të mungesës së informatave.

Pas shumë reagimeve nga mediat, shoqëria civile, figura të rëndësishme emri i Elizabetës u mbishkrua në pllakën e re të personave të vrarë dhe të plagosur në tregun e Mitrovicës më 13 mars 1999.