PDK akuzon qeverinë Kurti për keqpërdorim të 9 milionë eurove në tenderët a asfaltit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se ka keqpërdorur 9 milionë euro përmes tenderëve në asfaltimin e rrugëve, duke thënë se bëhet fjalë për një aferë të pastër korruptive.

Deputeti i kësaj partie Abelard Tahiri përmes një konference për media, tha se gjatë një hulumtimi që ka bërë partia e tij, ka rezultuar se Qeveria apo Ministria e Infrastrukturës kanë nënshkruar 42 kontrata një burimore, pa publikim të njoftimit për kontratë, vlera e të cilave është rreth 9 milionë euro.

“Është një rast i paprecedent, nënshkrimi i një numri kaq të madh të kontratave një-burimore, shumica prej tyre për punë shtesë por duke mos lënë anash edhe kontratat e reja, nuk ka ndodhur më herët në Kosovë. Vlen të theksohet fakti që të shpenzohen 9 milionë euro në mënyrë të negociuar në punë të paparashikuara, është një dëm jashtëzakonisht i madh”, tha Tahiri para gazetarëve.

Tutje, Tahiri tha se ky rast është për prokurorinë, sepse sipas tij, janë keqpërdorur 9 milionë euro të buxhetit.

“Ky është një rast për prokurorinë, sepse shpenzohet në punë të paparashikuara, në punë kontrata shtesë, 9 milionë euro ku dihet që buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës shkon dikun te 100 milionë euro dhe pothuajse 10% të këtij buxheti shkon në punë të paparashikuara është e pa tolerueshme. Është një rast që kërkon hetim nga Prokuroria”, tha ndër të tjera Tahiri.

Ndërsa deputetja Eliza Hoxha tha se kemi të bëjmë me shkelje të Ligjit për Prokurim Publik. Ajo tha se ky Ligj shprehimisht kërkon që Autoritetet Kontraktuese duhet të marrin të gjitha veprimet e nevojshme, për të ulur përdorimin e procedurës së negociuar.

“Mbi 90% e këtyre kontratave të Ministrisë së Infrastrukturës e kanë tejkaluar vlerën e kontratës, gjë që dëshmon për procese të montuara të prokurimit, keqplanifikim, tejkalim të kufijve buxhetorë duke iu shkaktuar kështu dëme buxhetit shtetëror 10% të vlerës së kontratave bazë dhe kjo vlerë e përkthyer në euro nënkupton mbi 9 milionë euro”, deklaroi Hoxha.

Tutje, deputetja Hoxha po ashtu tha se shkelje tjetër është edhe mospërfillja e paramasës dhe parallogarisë të projekteve, për të cilat janë nënshkruar kontratat.

“Shkelje tjetër është mospërfillja e paramasës dhe parallogarisë së projekteve, të cilat duhet të mbajnë sasitë dhe specifikat, por nuk duhet të jenë të plotësuara me çmime, sepse çmimet vendosen zakonisht nga operatorët ekonomik”, tha Hoxha.

Ajo gjithashtu pretendoi se shumica prej këtyre 42 kontratave janë të nënshkruara nga zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.