Faton Thaçi. Foto Facebook

Pasi u suspendua, Faton Thaçi, drejtori i Operativës së Postës padit kryeshefen dhe bordin e Postës

Faton Thaçi, drejtor i Operativës në Postën e Kosovës është suspenduar nga detyra javën e kaluar nën arsyetimin se ndaj tij ka një aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kohën sa ishte zëvendësministër i Tregtisë.

Ai në një bisedë përmes telefonit për KALLXO.com ka thënë se ka ushtruar kallëzim penal ndaj u. d. kryeshefes së Postës së Kosovës edhe personave të tjerë të involvuar në suspendimin e tij.

“Si palë e dëmtuar materialisht dhe jo materialisht sot kam shfrytëzuar të drejtën time ligjore dhe kam bërë ankesë për Komisionin e Ankesave pranë Postës së Kosovës si dhe kallëzim penal ndaj u. d. kryeshefes së Postës dhe palëve të involvuara në vendimmarrje të njëanshme politike dhe antiligjore ndaj meje, pra bëhet fjalë për bordin e drejtorëve që me presion politik shtynë u. d.  KE të merr vendim antiligjor dhe Drejtorinë Ligjore për interpretim jo ligjor të njëanshëm dhe politik”, tha Thaçi për KALLXO.com.

Të mërkurën e javës së kaluar, është suspenduar nga puna Faton Thaçi, drejtor i Operativës në Postën e Kosovës.

Suspendimi i tij nga puna është bërë pas interesimit të KALLXO.com që ndaj tij ka një aktakuzë të ngritur nga Departamenti Special në kuadër të Gjykatës së Prishtinës.

Në lidhje me kallëzimin penal ndaj anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Postës, të ushtruar nga Thaçi, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kryesuesen e Bordit, Safije Beseni.

E njëjta ka thënë se nuk është në dijeni.

“Jo nuk jam dhe nuk e di çka ka të bëjë me bordin suspendimi i tij”, tha ajo.

Edhe ud e Kryeshefes së Postës së Kosovës, Fakete Kadiu ka thënë se nuk është në dijeni të kallëzimit penal nga Faton Thaçi.

“Jo nuk jam e njoftuar që ka ushtruar kallëzim penal”, tha Kadiu shkurt për KALLXO.com.

Kryetarja Beseni kishte thënë javën e kaluar se aktakuza nuk i referohet marrëdhënies së punës me Postën e Kosovës.

“Aktakuza nuk i referohet shkeljeve që kanë ndodh në PK Sh.A., ku punonjësi nuk ka pasur vërejtje në kryerjen e detyrave të punës, megjithatë në interes së mbrojtjes së imazhit të ndërmarrjes, si dhe të mos përfshirjes së menaxhmetit në procese që mund të ndikojnë në besueshmërinë e opinionit”, ka thënë Beseni.

Thaçi kishte paralajmëruar se ndaj vendimit për suspendim do të ndjekë procedurat ligjore.

Drejtori i Operativës së Postës së Kosovës flet për KALLXO.com, e quan politik suspendimin