Faton Thaçi. Foto Facebook

Drejtori i Operativës së Postës së Kosovës flet për KALLXO.com, e quan politik suspendimin

Drejtori i Operativës në Postën e Kosovës, Faton Thaçi, i cili ishte edhe zëvendësministër në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë tri vite më parë, ka thënë se vendimi për suspendimin nga puna është jo-ligjor dhe politik.

“E kam pranuar një vendim antiligjor, politik, pa bazë ligjore dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Komplet vendimi thirret në aktakuzë, Ligji i Punës më mbron, prezumimi i pafajësisë deri në vendim të Apelit por në vendim është se kinse një aktakuzë është konfirmuar ndaj meje”, tha Thaçi në një bisedë për KALLXO.com.

Ai tha se aktakuza ndaj tij është kinse për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kohën sa ishte zëvendësministër në Ministrinë e Tregtisë.

“E gjitha është politike sepse mundeni me verifiku, sepse në Postën e Kosovës punoj nga 2007 dhe nëse e gjeni ndonjë shkelje që kam bërë brenda postës por nuk ka asnjë të vetme”, tregon tutje Thaçi.

Thaçi tutje tha se për këtë vendim të bordit të Postës së Kosovës, do të ndjekë edhe rrugët ligjore.

“Sot më larguan nga vendi i punës, unë do t’i ndjekë penalisht, do t’i ndjekë procedurat ashtu siç më takojnë”, përfundon Thaçi.

“Që nga fillimi më kanë bërë presion politik. Kryeshefja gjithashtu tha se KALLXO.com janë interesuar dhe po duhet me ndërmarrë veprime, ajo ju përdori juve si media për me vepru. E gjitha është e qëllimshme dhe politike”, tha Tutje Thaçi.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme raportoi në lidhje me suspendimin e Thaçit.

KALLXO.com gjithashtu ka siguruar vendimin e suspendimit të Thaçit nga pozita e tij.

“Bazuar në konfirmimin nga Gjykata Themelore-Departamenti Special se ndaj puntorit Faton Thaçi-Drejtor i Operativës PK, është konfirmuar aktakuza për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje. Më qëllim të mbrojtjes së imazhit, si dhe mospërfshirjes së menaxhmentit në procese që mund të ndikojnë në besueshmërinë e opinionit ndaj ndërmarrjes dhe ruajtjes së kredibilitetit të Postës së Kosovës u vendos si në dispozitiv të vendimit”, thuhet në vendimin e siguruar nga KALLXO.com.

Thaçi tha se në lidhje me aktakuzën nuk ka pasur thirrje për seancë.

“Këta thirrën bazuar në konfirmimin nga Gjykata Themelore e në fakt nga Gjykata as nuk ka konfirmim e as datë të seancës së parë ku pastaj bëhet kundërshtimi i provave”, shtoi ai.

Thaçi ka qenë edhe zëvendësministër në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë ka dhënë dorëheqje në vitin 2018.