Pas vendimit të Këshillit të Pavarur, Sveçla anulon konkursin për drejtor të ARC-së

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka anuluar konkursin për drejtor ekzekutiv të Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC).

Deri tek anulimi i këtij vendimi erdhi pas kërkesës së Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, i cili në vendimin e datës 22 dhjetor 2021 kishte konstatuar disa shkelje në këtë konkurs.

“Kolegji për shqyrtimin dhe vendosjen e ankesave ka shqyrtuar pretendimet ankimore të ankuesit i cili pretendon se procedurat e rekrutimit për pozitën Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit Sivil në Ministrinë e Punëve të Brendshme e shpallur sipas konkursit të datës 11.06.2021 më numër referencë: RN000712 është zhvilluar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit nr.06/L-114 për Zyrtarët Publik”, thuhej arsyetimin e këshillit.

Në arsyetim, kolegji po ashtu konstatoi se konkursi në fjalë është zhvilluar në kundërshtim me rregulloren për Pranimin, Vlerësimin dhe disiplinën e nëpunësve të lartë Drejtues, si dhe në kundërshtim me dispozitat e ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

“I njëjti (ankuesi) vlerëson se është dëmtuar me rastin e vlerësimit të jetëshkrimit të CV-së dhe po ashtu është dëmtuar gjatë ndërhyrjeve (zbritjes së pikëve) në regjistrin e pikëve nga ana e Komisionit Shtetëror Përzgjedhës me ç’rast i është pamundësuar të kaloj pragun minimal prej 70 për qind të totalit të përgjithshëm të pikëve i nevojshëm për të qenë pjesë e listës për emërim”, thuhet tutje në arsyetim.

Këtë vendim Këshilli e kishte marrë 5 ditë pasi që Kushtetuesja kishte shfuqizuar vendimin e Kuvendit, vendim i cili kishte shkarkuar pikërisht Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil pikërisht me iniciativën e deputetëve të partisë së Sveçlës, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Konkursi për drejtor ekzekutiv të Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC) ishte hapur më datën 11 qershor 2021.

Kjo pozitë kishte mbetur e zbrazur pasi që ministri Sveçla me të marrë mandatin kishte shkarkuar Bekim Hoxhën nga pozita e kryeshefit të Agjencisë së Regjistrimit Civil.

Këshilli i Pavarur i kërkon ministrit Sveçla anulimin e konkursit për drejtor të ARC-së