Foto: Facebook / Kosovo Police

Pas raportimeve të mediave, Policia shtyen testimin me gojë për gradën Toger

Publikimi i disa fotografive të testit me shkrim të Policisë së Kosovës në një portal ka bërë që intervistat me gojë për gradën Toger të shtyhen në një afat të pacaktuar.

Kështu ka konfirmuar Zyra e Informimit të Deprtamentit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës për KALLXO.com.

Data e planifikuar për t`u mbajtur intervistat me rreshterët që hynë në test për gradën Toger, ka qenë 2 marsi i këtij muaji por që kjo datë është shtyrë për një afat tjetër ende të pacaktuar.

“Përkundër faktit që Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë për testim: duke mos lejuar telefonat mobil gjatë gjithë kohës testimit me shkrim për asnjë zyrtar qe i është nënshtruar testit dhe stafit mbështetës brenda në sallë, organizimit te procesit të testimit të ndarë në grupe dhe lloje të ndryshme të testit për secilin grup, ku pyetjet janë përzgjedhur në mënyrë elektronike nga fusha të ndryshme të policore. Poashtu  i tërë procesi ka qenë gjithnjë nën mbikëqyrje të Komisionit dhe Panelit të formuar për menaxhimin e këtij procesi”, thuhet në përgjigjen e policisë për KALLXO.com.

Tutje në përgjigjet e policisë thuhet se, publikimi i testit nuk ka pasur efekt te grupet pasuese.

“Publikimi i fotove nuk ka pasur efekt tek grupet pasuese dhe në proces sepse testet kanë qenë të ndryshme për secilin grup dhe ka ndodhur disa ditë pas fazës së testit me shkrim. Edhe për kunder faktit se publikimi i fotove nuk ka ndikuar ne proces, Policia e Kosovës ka kërkuar nga Inspektorati Policor te filloj hetimet sepse  publikimi i testit është shkelje e rregullave dhe procedurave”, thuhet tutje në përgjigje.

Policë të shumtë kanë hyrë në testin me shkrim që është mbajtur gjatë datave 4 dhe 5 shkurt të këtij viti për tu ngritur në gradë.

Policia publikon rezultatet e testit për toger (FOTO)

.