Pika kufitare në Bërnjak. Foto: KALLXO.com

Pas 10 ditësh nga sulmi terrorist në Banjskë hapet pika kufitare Bërnjak

10 ditë pas mbylljes për shkak të sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit nga një grup terrorist ndaj Policisë së Kosovës, pika kufitare Bërnjak është hapur sot për qarkullim.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëvendësdrejtori i policisë në veri, Veton Elshani.

“Aktualisht po vetëm pika Bërnjak është hapur, ajo e Jarinjes jo”- tha Elshani për KALLXO.com.

Më 24 shtator në orën 2:34, policia kishte marrë informacion se një ekip i njësisë kufitare ishte sulmuar në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit me ç’rast rreshteri policor Afrim Bunjaku kishte vdekur ndërsa dy kolegët e tij njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.

Dyshimet e para fillimisht ishin se policia kishte të bënte me një grup të armatosur kriminal por që më pas të njëjtit u konstatua se kryen një akt terrorist ndaj institucioneve të rendit.

Rreth orës 04:00 të mëngjesit ekipet interveneuse të cilat shkuan për të tërhequr kolegët ishin sulmuar sërish nga i njëjti grup me armë të rënda e shpërthyese.

Kjo situatë zgjati për disa orë në Zveçan e që më pas dita ditës pati zhvillime dhe zbardhje të atyre se kush qëndroi mbrapa dhe cili ishte qëllimi i grupit terrorist.

Radoiçiq është i kërkuar nga organet e rendit dhe drejtësisë në Kosovë ndërsa për rastin e fundit atë të sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, institucionet kosovare kanë kërkuar nga Beogradi edhe dorëzimin e tij dhe personave të tjerë që morën pjesë në grupin terrorist.

Kjo pasi që Radoiçiq në orët e pasdites së 24 shtatorit 2023 u arratis nga Banjska për në Serbi gjatë kundërsulmit që grupi terrorist pati nga Policia e Kosovës.

Milan Radoiçiq ka pranuar zyrtarisht me anë të një letre se ka qenë mbrapa sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Basnjkë të Komunës së Zveçanit, ku u vra një rreshter i policisë e u plagos një tjetër.

Letrën e Radoiçiq e lexoi para mediave, avokati i tij Goran Petronijeviq.

“Njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, nga Kurti e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time aty” – thuhet në letrën e Radoiçiqit.

“Kthimi im në veri nuk kishte të bënte me punën time në veri me Listën Serbe, andaj jap dorëheqje të parevokueshme nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe” – thuhet në letrën e Radoiçiqit.

Avokati Petronijeviq tha se nuk ka arritur që të shoh pamjet që janë transmetuar se klienti i tij ka qenë pjesë e grupit që mori pjesë në sulmin e 24 shtatorit.

Por ajo çka konfirmoi avokati Petronijeviq është se Milan Radoiçiq nuk ka qenë i plagosur dhe nuk është trajtuar në aspektin shëndetësor.

“Unë nuk mund të gjykoj asgjë, sepse këtë incizim fatkeqësisht as nuk e kam parë, për sa i përket gjendjes shëndetësore, as nuk ka qenë i plagosur as nuk ka qenë i trajtuar” – tha avokati Petronijeviq.

Avokati i Radojiçiq nuk po pranon të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve të cilat lidhen me armatimin dhe organizimin e sulmit terrorist të mbi 30 personave në Banjskë të Zveçanit.

Radoiçiq ka shkruar se meqenëse aty nuk ishte në kuadër të Listës Serbe jep dorëheqje nga pozita e tij në këtë parti politike që funksionon në Kosovë.

“Jap dorëheqje të parevokueshme në vendin e nënkryetarit të Listës Serbe. Jam i gatshëm që në lidhje me këto ngjarje tu përgjigjem ftesës së organeve të Serbisë. Rroftë Serbia. Millan Radoiçiq”- kjo është deklarata e tij.

Gjatë ditës së djeshme Prokuroria në Beograd njoftoi se ka ndaluar për 48 orë Radoiçiq nën dyshimet për trafikim me armë.

Ai dyshohet se në një periudhë disa mujore kishte blerë armë siç thotë njoftimi i prokurorisë nga Tuzla një vend në Bosnje, i kishte futur brenda Beogradit e më pas i kishte ri-pozicionuar ato armë në pjesën e veriut të Kosovës, më saktësisht në Banjskë.