Partitë ‘sytë katër’ për koalicione parazgjedhore

Liderët e subjekteve politike në Kosovë kanë nisur negociatat në mes vete për krijimin e koalicioneve, si formë e përgatitjes për të marrë pushtetin pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat pritet të shpallen pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, më 22 gusht.

Deri tash, vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka konfirmuar koalicion parazgjedhor me Partinë Socialdemokrate (PSD).

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në një konferencë të përbashkët për media me kryetarin e PSD, Shpend Ahmeti ka thënë se për veç PSD-së, AAK-ja është e hapur edhe për partnerë tjerë.

“Sot është përmbyllja e një pune të përbashkët, jo të lehtë. Kjo punë ka pasur për bazë qëllimet programore të PSD-së dhe AAK-së dhe kemi arritur që të bashkojmë ekspertizat më të mira që kemi në parti. Jemi të hapur për bashkëpunim me Nismën, AKR-në me këto parti që kemi edhe një komunikim të ndërsjellë. Nuk synojmë PAN 2 apo PAN 3, nuk jemi pjesë e skenarëve për një PAN të ri dhe këtë e themi me përgjegjësi”, ka thënë Haradinaj pas nënshkrimit të marrëveshjes me PSD-në.

Shpend Ahmeti tha se do të garojnë bashkë në zgjedhjet e jashtëzakonshme më AAK-në me program të përbashkët qeverisës.

“Ky është një bashkëpunim edhe politik edhe zgjedhor, duke marrë parasysh disa vija të bashkëpunimit që i kemi pasur edhe në vitet e kaluara, por që janë zgjeruar në fusha të tjera, me të cilat do të garojmë bashkë me një program të përbashkët qeverisës”, tha Ahmeti

Ahmeti po ashtu tha se listës së këtij koalicioni do t’i prijë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke shtuar se këtu nuk mbaron puna me koalicione parazgjedhore, pasi që ky koalicion mund të zgjerohet edhe me parti të tjera.

Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë është deklaruar se në zgjedhje do të shkojë si parti e vetme, ndonëse nuk ka përjashtuar mundësinë e koalicioneve me partitë e spektrit politik, përveç Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Kryetari i kësaj partie Isa Mustafa, të hënën ka mbajtur takime të ndara me disa parti parlamentare, por ai deri më tash, nuk ka dhënë ndonjë sqarim lidhur më arsyen dhe përmbajtjen e këtyre takimeve.

Pas takimit me Mustafën, kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti, ka thënë se takimi ishte shumë pozitiv, por nuk ka dhënë ndonjë përgjigje rreth koalicioneve te mundshme.

Mustafa është takuar edhe me kryetarin e partisë Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Pas takimit Limaj, ka thënë se do të bisedojë me gjithë partnerët dhe më pas do vendosë për një koalicion të mundshëm.

“Ne kemi biseduar për të gjitha temat e mundshme të këtij trajtimi dhe ju e dini disponimin e Nismës pak a shumë. Kjo i mbetet organeve që të vendosin përfundimisht në ditët në vijim. Do të bisedojmë me të gjithë partnerët dhe pastaj Nisma i vlerëson këto dy gjëra. E para, interesin e vet partiak dhe e dyta është se procesi zgjedhor është vetëm një fazë. Faza e dytë është shumë me rëndësi, se çfarë qeveria komponohet dhe sa është e përgjegjshme që të kryejë punë për të cilat merr obligim që t’i kryejë”.

Në anën tjetër analistë politikë në Prishtinë, pohojnë se sistemi politik në Kosovë është i atillë që pamundëson krijimin e Qeverisë pa koalicione dhe për këtë arsye partitë politike janë të obliguara që të gjejnë partnerë.

Artan Muhaxhiri, analist politik, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se koalicionet parazgjedhore janë më të qëndrueshme.

“Është shumë e dëmshme që koalicionet paszgjedhore të bëhen në mënyrë të improvizuara dhe më shkelje të parimeve. Dhe kjo është një ndër arsyet që asnjë qeveri nuk ka mundur të çojë deri në fund mandatin e vetë. Pasi koalicionet paszgjedhore janë bërë duke i pasur parasysh matematikat e arritjes se 61 deputetëve për të formuar qeverinë dhe jo parimeve të qarta dhe të shëndosha politike për funksionim të përbashkët afatgjatë”, tha Muhaxhiri.

Diskutimet për koalicion dhe zgjedhje të parakohshme kanë nisur pasi Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës më 19 korrik të këtij viti.

Ai ka marrë këtë vendim pas ftesës që i është bërë për intervistim nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Si pasojë e kësaj situate, Kuvendi i Kosovës do të mbajë të enjten një seancë të jashtëzakonshme, ku pritet të bëhet shpërndarja e legjislaturës aktuale.