Edhe 8 orë për përgjigjen e LDK

Partitë politike kosovare kanë kohë vetëm deri në mesnatën e sotme për dorëzimin e aplikacioneve për koalicione parazgjedhore, për garën e 6 tetorit.

Tashmë kanë mbetur edhe tetë orë që LDK dhe Vetëvendosje të dakordohen për propozimet e fundit të cilat janë në tavolinë. Lideri i VV Abin Kurti ka ardhur me propozimin për listën e përbashkët ku fituesi më i madh i votave do ishte mandatari i qeverisë.

LDK ende nuk ka dhënë qëndrim për këtë propozim të Vetëvendosjes.

Kjo përcakton mundësinë që kanë subjektet politike, që të garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Deri më tani janë nënshkruar dy koalicione parazgjedhore.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e Ramush Haradinajt dhe Partia Socialdemokrate  (PSD) e Shpend Ahmetit do të garojnë me një listë të përbashkët zgjedhore, ku kandidat për kryeministër është zyrtarizuar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Në anën tjetër, njësoj do të veprojnë edhe Aleanca Kosova e Re (AKR) e Behgjet Pacollit dhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, ku ky i fundit zyrtarisht është kandidat për shef të ekzekutivit.

Ndërkaq, së paku deri tani e vetme për të garuar në zgjedhje, është deklaruar Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Ky subjekt ka zyrtarizuar kandidaturën e Kadri Veselit për kryeministër të vendit.

Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (VV) nuk po arrijnë të merren vesh për një koalicion paraprak, për shkak të pozitës së kryeministrit, ku LDK-ja zyrtarisht kandidon me Vjosa Osmanin e VV-ja e përmend në vazhdimësi Albin Kurtin.

Ditëve të fundit, zyrtarë të Vetëvendosjen kanë deklaruar se që nga tetori i vitit të kaluar i kanë dorëzuar LDK-së një model të marrëveshjes.

Sipas tyre, marrëveshja do të ishte e gjatë, ku dy partitë do të merreshin vesh për të qeverisur së bashku për dy mandate dhe pozita e kryeministrit të jepet me rotacion.

Fillimisht kryeministri do të vinte nga radhët e Vetëvendosjes, ndërsa në mandatin tjetër, kryeministri të jetë nga LDK-ja.

Gjithmonë sipas VV-së, LDK nuk ka kthyer asnjëherë përgjigje për propozimin.

Në anën tjetër, ndonëse ende nuk ka nisur zyrtarisht fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, zyrtarë të subjekteve politike në Kosovë janë mobilizuar për të kërkuar votat e qytetarëve.

Diskursi politik nisi të ndryshojë qysh pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, më 19 korrik të këtij viti, ku kryefjalë tashmë janë bërë luftimi i korrupsionit dhe nepotizmit.

Njohës të çështjeve politike në vend shprehen pesimistë për një fushatë mirëfilli elektorale, në këmbim të besimit qytetar për të udhëhequr me institucionet shtetërore.

Pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj më 19 korrik, shpërndarja e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës me 22 gusht, i hapi rrugë shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nga ana e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Fushata zgjedhore do të zgjasë 10 ditë, duke filluar nga 25 shtatori.

Qeveria e kaluar është udhëhequr nga koalicioni PDK-AAK-NISMA, i njohur si PAN.