Partia e Oliver Ivanoviqit bashkohet me Listën Serbe për zgjedhjet e 6 tetorit

Iniciativa Qytetare SDP, e themeluar nga ish-lideri i serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, do të jetë pjesë e listës së kandidatëve të Listës Serbe, subjekt i mbështetur nga autoritetet e Beogradit.

Agjencia serbe e lajmeve Beta raporton se kjo iniciativë qytetare ka thënë se në zgjedhjet parlamentare të Kosovës që mbahen më 6 tetor do të dalë “”me opsionet tjera politike që gjenden në Listën Serbe”

Në arsyetimin e këtij vendimi, SDP tha se “serbët në Kosovë në këto çaste është e domosdoshme të jenë bashkë dhe ta mbështesin shtetin e Serbisë në punën për ta mbrojtur interesin shtetëror”.

SDP është themeluar nga Oliver Ivanoviq i cili u vra në janar të vitit të kaluar para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Autoritetet e Kosovës janë duke e kërkuar nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq si të dyshuar për këtë rast të vrasjes.