Para nisjes për në Hagë, Thaçi bën homazhe te varri i presidentit Rugova

Një ditë para se të niset për në Hagë për t’u intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila kundër tij ka ngritur aktakuzë për krime lufte e krime kundër njerëzimit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vazhduar edhe sot vizitat dhe ka bërë homazhe te varret e personaliteteve të ndryshme të vendit.

Sot gjatë ditës Thaçi ka bërë homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova.

“Nderim e mirënjohje gjithmonë Presidentit të parë të Kosovës, si dhe gjithë atyre që i dhanë jetë rezistencës paqësore në fillim dhe asaj të armatosur deri në fund”, ka shkruar ai në Facebook.

“Në historinë e formimit të shteteve në botë, Kosova hyn në rastet e rralla që rrugën e formësimit të shtetit e nisi nga ideja e rezistencës paqësore dhe e mbylli në istikamet e luftës së armatosur”, ka shtuar ai.

Nesër, Thaçi do të jetë në Hagë, ku është ftuar për intervistë pas ngritjes së aktakuzës kundër tij, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli dhe disa ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Sipas aktakuzës, e cila duhet të konfirmohet nga gjykatësi paraprak, Thaçi, Veseli dhe të tjerët akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.