Plagosja në Duplex, pamjet dëshmojnë se polici ishte afër kur ndodhi incidenti

M. B. zyrtar policor nga filmimet e kamerave të sigurisë shihet se gjatë gjithë kohës është prezent në vendin e ngjarjes ku u plagosën 4 persona pas një përleshje që ndodhi në mesnatën e 9 nëntorit në hyrje të lokalit të natës ‘Duplex’ në Prishtinë.

KALLXO.com mëson se polici M. B. nuk është suspenduar, për dallim nga dy kolegë të tij të cilët ishin suspenduar nga puna për të njëjtin rast.

Askush nga Policia e Kosovës nuk kanë dhënë asnjë sqarim për publikun se pse nuk është suspenduar ky polic, i cili siç shihet në filmimet e kamerave të sigurisë nuk kishte reaguar për të parandaluar ngjarjen.

KALLXO.com pati raportuar për ngjarjen ku 4 persona ishin lënduar pas përleshjes së armatosur që ndodhi natën e 9 nëntorit rreth orës 2:00 të mëngjesit në hyrje të lokalit ‘Duplex’.

Në këtë incident ishin përdorur edhe armë të zjarrit.

Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes kishte gjetur 3 armë që dyshohet se janë përdorur në këtë rast.

KALLXO.com pati siguruar pamje ekskluzive nga ky incident.

Në pamje shihet personi me setër ngjyrë krem tek afrohet te sigurimi ndërsa pas një diskutimi nxjerr revolen dhe qëllon në drejtim të pjesëtarëve të sigurimit.

Njëri nga ta nuk largohet dhe këtu fillon përleshja edhe me grushte.

Pamje nga kamerat e sigurisë, plagosjet në ‘Duplex’