Pamje nga testimet serologjike në Prishtinë

Në Qendrën e Mjekësisë Familjare te Mensa e Studentëve në Prishtinë që prej ditës së hënë ka filluar kryerja e testeve serologjike që shërbejnë për të identifikuar imunitetin e popullatës përmes prezencës ose jo të antitrupave në gjak.

 

Këto teste po kryhen për të bërë identifikimin e personave që kanë kaluar virusin COVID-19 dhe atyre që duan të dinë nëse kanë qenë të infektuar.

I gjithë ky proces përcillet përmes një rutine që fillon nga marrja e të dhënave dhe marrjen e gjakut që përdoret si mostër për këtë lloj testi.

Këto mostra të gjakut futen në kitet për testim e më pas në një makinë që është e dedikuar për këto teste.

E gjitha kjo procedurë përcillet me bartjen e këtyre mostrave në një laborator me makinën ku futen të gjitha mostrat e marra përmes të cilit bëhet e ditur nëse këto mostra kanë antitrupa të krijuara ndaj virusit COVID-19.

Sipas stafit i cili po merr këto mostra kapaciteti për këto teste është rreth 100 në ditë, kurse rezultatet e tyre u komunikohen përmes telefonit vetëm personave të testuar dhe nuk do bëhen publike pasi ky më shumë po përdoret si studim për imunitetin e krijuar në popullatë.

Këto të dhëna do të bëhen publike krejt në fund të këtij studimi.

Për të gjithë qytetarët që kanë interesim të kryejnë këtë test si fillim duhet t’i drejtohen mjekut familjar i cili do t’u japë udhëzim për kryerjen e tij, e më pas i drejtohen Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare për të hyrë në listë e cila i dorëzohet çdo ditë qendrës ku kryhen testimet.

Komuna e Prishtinës është e vetmja në Kosovë që po kryen këtë lloj testi. Synohet që brenda dy javësh pas furnizimit me teste të tjera, kapaciteti prej 400 teste në ditë.

Në shumë vende të botës me anë të këtij testimi është bërë identifikimi i personave që do të mund të kontribuonin në dhurimin e plazmës ku edhe gjenden antitrupat e krijuar për personat që janë në gjendje të rëndë shëndetësore e cila përdoret për trajtim.

Pas çdo infektimi me virus, trupi i njeriut krijon antitrupa.

Ky lloj trajtimi tashmë ka filluar në disa vende fqinje siç është Maqedonia e Veriut.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i ka bërë thirrje IKSHPK-së që të mblidhen dhe ta mendojnë këtë lloj trajtimi i cili ka filluar të aplikohet nëpër shumë vende të botës.

Nëse fillon përdorimi i kësaj metode në Kosovë atëherë duhet të ketë vullnetar të cilët e kanë kaluar virusin për të bërë dhurimin e plazmës që më pas do përdorej nga spitalet për trajtim.

Pothuajse gjysma e rasteve aktive me COVID-19 janë vetëm në komunën e Prishtinës.

Deri më sot në këtë komunë janë raportuar 1,963 raste pozitive me COVID-19, nga të cilat 1,209 janë ende aktive.

Numri total i të infektuarve në Kosovë është 6,467 prej të cilëve 158 kanë vdekur.